Sipas analistëve ligji për menaxhimin e financave publike e parasheh që draftbuxheti të miratohet brenda qeverisë

Sipas analistëve ligji për menaxhimin e financave publike e parasheh që draftbuxheti të miratohet brenda qeverisë

Edhe pse qeveria në detyrë është në prag të afateve ligjore për procedimin e projektbuxhetit për vitin 2020, Ministria e Financave për shkak të rrethanave të krijuara politike në vend ende nuk e ka proceduar draftbuxhetin final për miratim në qeveri.

Ndonëse, analistë për çështje financiare pohojnë se ligji për menaxhimin e financave publike e parasheh që draftbuxheti të miratohet brenda qeverisë deri më datën 31 tetor dhe nuk parasheh ndonjë situatë ndryshe në rast se ka zgjedhje apo qeveri në detyrë.

Këshilltari i ministrit të Financave, Lulëzim Rafuna tha se Ministria e Financave me kohë i ka marrë të gjitha veprimet dhe të gjithë hapat të cilët janë të paraparë me ligj, por për shkak të rrethanave të reja të krijuara, sidomos me Kuvendin e Kosovës, nuk është proceduar mëtej projektbuxheti për vitin 2020, që është më i lartë se ai i vitit paraprak.

 “Ka ardhur deri te hartimi i një drafti që mund të themi se është drafti final nga ana jonë si Ministri e Financave.Po ashtu edhe të gjitha komunat kanë aprovua buxhetet me përjashtim të dy komunave të cilat nuk i kanë sjellë, mirëpo edhe në atë rast ka zgjidhje ligjore, kështu që lirisht mund të themi se ne kemi arrit që ta finalizojmë komplet draftin e parë të buxhetit. Kjo ka qenë një ndër arsyet pse ne ende se kemi dërguar në qeveri, për shkak të rrethanave të reja të krijuara, sidomos me Kuvendin e Kosovës, për arsye se Ligji për menaxhimin e financave, na obligon që më së voni deri më 31 tetor t’ia dorëzoj kuvendit, mirëpo po flasim kur kuvendi është ekzistues që në rastin konkret nuk e kemi”, tha Rafuna për kp.

Ai dha edhe një arsye tjetër, se si MF janë gati që sot ta dërgojnë në qeveri draft-buxhetin, mirëpo sipas Rafunës pas zgjedhjeve të 6 tetorit është krijuar një situatë e re, që sipas tij, dy partitë të cilat janë duke tentuar për të bërë koalicion dhe për të ardhur në qeveri kanë për synim edhe zvogëlimin e ministrive.

 “Tani pas krijimit të rrethanave të reja nuk kemi arrit që ta kemi një strukturë të qartë të ministrive, sepse ne kemi dëgjuar publikisht se do të ketë reduktim të ministrive, në fakt është mirë që bëhet kjo. Dhe kjo komplet neve si Ministri e Financave na zhvendos në një pozicion të ri për arsye se do të ndërrohen kodet buxhetore, do të ndërron struktura komplet e ministrive dhe struktura e buxhetit, pra, kjo është arsyeja pse nuk kemi arrit te shifra finale dhe për ta dërgua tutje në qeveri”, deklaroi ai.

Berat Thaqi, analist politikash në Institutin GAP, tha , se Qeveria në detyrë është e obliguar me ligj që deri më 31 tetor ta procedoi projektbuxhetin 2020, pavarësisht rrethanave të krijuara në vend.

 “Ne kemi një qeveri në detyrë dhe në bazë të Ligjit për menaxhimin e financave, ata deri më 31 tetor duhet t’i kryejnë procedurat brenda qeverisë, të miratohet dhe të jetë publik drafti, mirëpo pastaj është në duart e kuvendit ta shikojnë dhe t’i bëjnë kërkesat e tyre. Teknikisht deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë mundësi që të bëjnë kërkesa. Është ndjekur një praktikë që nuk mund të propozohen projekte të reja pa u gjetur burimi i financimit që i bie që do të largohen disa projekte potenciale në draft-ligj dhe të futen projekte të reja… Pra, javën e ardhshme ky afat na kalon dhe Qeveria e Kosovës është e detyruar që ta përgatis draftin”, deklaroi Thaqi.

Në rast se kërkohet ndryshim buxhetor për reduktimin e ministrive, Thaqi pohoi se kjo pastaj është e zgjidhshme ndërmjet ministrit të ardhshëm të Financave dhe komisionit të ri parlamentar për buxhet dhe financa.

“Ministri e ardhshëm i Financave me stafin e tij duhet të bashkëpunoj ngushtë me Komisionin për Buxhet dhe Financa në Kuvendin e Kosovës dhe t’i ndryshoj tabelat në draft-buxhetin e Kosovës. T’i ndryshojnë parashikimet dhe në rast se do të kemi më pak ministra dhe zëvendësministra, atëherë i bie që do të kemi mjete shtesë, ndërsa ky nuk është problem aq i madh. Kjo i bie që do të kemi mjete shtesë për investime kapitale, për zhvillim ekonomik që është mjaft pozitive, andaj, edhe duhet të respektohet ai ligj. Me shumë gjasë dhe është e pritshme që qeveria e ardhshme të bëjë ndryshime”, deklaroi ai ai.

Ndërsa, drejtues të Lëvizjes Vetëvendosje që mund të jenë drejtues të Qeverisë së ardhshme, nuk kanë dashur ta komentojnë procesin buxhetor për vitin 2020.

Se a mund të ketë krizë buxhetore, Berat Thaqi tha se deri në fund të muajt shkurt pa u bërë fare konstituimi i Kuvendi, institucionet publike mund të funksionojnë dhe mund të kryejnë pagesa.

Po kështu ka menduar edhe Lulëzim Rafuna, i cili  deklaroi se krizë buxhetore mund të ketë vetëm në muajin prill në qoftë se nuk ka qeveri të re dhe nuk aprovohet ligji i buxhetit. Për muajin janar të vitit 2020, ndarja buxhetore mund të bëhet nga 1/12 e ligjit të buxhetit 2019.