Qeveria nuk arriti t’i realizojë projektet ekonomike

Ekonomia edhe gjatë vitit që shkoi vazhdoi të ë ketë probleme të mëdha. Qeveria as këtë vit nuk arriti t’i realizojë projektet madhore

Brezovica nuk u koncesionua, “Kosova e Re”, përkundër arritjes së marrëveshjes në fund të vitit me kompaninë amerikane “Contur Global”, nuk filloi të ndërtohet. Telekomi e Posta e morën teposhtëzen.

Ndërmarrjet strategjike sikur që është Trepça nuk nisi të funksionojë me ligjin e ri, ku Qeveria nuk arriti ta emërojë bordin në mënyrë që të fillojnë proceset.

Gjitha këto projekte që konsiderohen të dështuara gjatë vitit 2017 ka gjasa që sipas autoriteteve të realizohen gjatë këtij viti.

Pavarësisht rritjes ekonomike në 4 përqind, numri i të papunëve është rritur. Këtë e konfirmon edhe ministri i Financave, Bedri Hamza, i cili ka thënë se norma e papunësisë është diku 27 përqind.

“Shifrat e fundit nëse i referohemi Agjencionit të Statistikave të Kosovës sillen diku rreth 27 përqind. Po do të thotë është normë e lartë, a do të jetë 25 apo 30 përqind është normë e lartë e papunësisë. Ne kemi nevojë që të krijojmë kushte për sektorin privat që të jetë udhëheqës në rritjen ekonomike dhe gjenerues i qëndrueshme i vendeve të punës”, tha Hamza.

Këshilltari për ekonomi i kryeministrit, Ramush Haradinaj, Haki Shatri, i vetëdijshëm se shumë procese u prolonguan, thotë se Qeveria ka shumë sfida, por që do të merren me secilin problem.

Ndërsa për Brezovicën tha se Qeveria nuk ka marrë ndonjë hap konkret. Përderisa nuk heziton të tregojë që për keqmenaxhim të Telekomit e Postës, dikush do të japë përgjegjësi.

Kurse, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka treguar për përfitimet që Kosova do t’i ketë nga ndërtimi i Kosovës së Re dhe se parashihet të përfundojë në fillim të vitit 2023.

Sipas tij, ky projekt është 100 përqind privat. Qeveria e Kosovës, sipas tij, nuk ka hise në këtë ndërmarrje.

Ai tregoi se 30 përqind e këtij projekti do të jetë kapital privat i investitorit, kurse, 70 përqind do të jetë në formë të kredisë nga investitori privat tek institucionet e ndryshme financiare. Ai shtoi se Qeveria ka disa obligime të tjera që duhet t’i sigurojë investitorit.

Lluka thotë se investitori privat duhet ta bëjë ndërtimin, ta menaxhon të gjithë operacionin për 20 vite dhe pas 20 viteve e ka për obligim ta transferon në pronësi të Qeverisë së Kosovës. Po ashtu, tregojë se kur arrihet marrëveshja financiare do të shkojë në Kuvend për t’u votuar.

Projekt i madh është konsideruar edhe interesimi i një kompanie gjermane për të investuar në energjinë alternative, megjithatë, ky edhe investitorët tjerë potencial do të investojnë pasi të hy në fuqi ligji për investime strategjike, i cili ka kohë që është miratuar por që asnjëherë nuk ka hyrë në fuqi për shkak se mungojnë udhëzimet administrative./21Media

Back to top button