Qeveria prezantoi planin e reformave

Një fjali për gjuhën shqipe, pa afat konkret

Detyrat të cilat qeveria e re planifikon ti realizojë në afat prej 3, 6 dhe 9 muajve janë pjesë e propozim planit për reforma të Qeverisë së re në Maqedoni, pjesë e të cilave janë edhe demokratizimi i Kuvendit, reforma në gjyqësi, në administratën publike, në legjislacionin zgjedhor, mundësimi i kushteve për zgjedhje demokratike dhe korrekte, kohabitim me kryetarin e shtetit si dhe masa të tjera. Sipas kryeministrit Zoran Zaev të gjitha reformat e përmendura do të realizohen brenda periudhës së caktuar, gjë që do të nënkuptohet si hap i madh në rrugën euro-integruese. Zaev shtoi se qëllimi i planit është që deri në zgjedhjet lokale në tetor të këtij viti, Qeveria të shohë rezultatet e para, deri në dhjetor të largohet rekomandimi i kushtëzuar, ndërsa në raportin e ardhshëm të Komisionit Evropian, Maqedonia të marrë datë për fillimin e negociatave për anëtarësim.

“Të tregojmë reforma serioze në më shumë sfera që do ta përforcojnë perceptimin e Maqedonisë si kandidate serioze për anëtarësim në BE. Për 9 muaj kemi për qëllim që të implemetojmë rrethin e tretë të reformave që në raportin e ardhshëm për Maqedoninë ti udhëzojmë vendet anëtare të BE-së drejt diskutimit për caktimin e datës për fillimin e negociatave mes BE-së dhe Maqedonisë”, u shpreh Zoran Zaev, Kryeministër i RM.

Zaev i bëri thirrje edhe opozitës që në mënyrë aktive të kyçet në realizimin e planit, në mënyrë që të bashkohen forcat dhe Maqedonia të dalë nga kriza. Zëvendës ministri për euro-integrime Bujar Osmani tha se programi qeveritar mbështetet në dispozitat e Marrëveshjes së Przhinos dhe rekomandimeve nga Brukseli.

“Realizimi i këtyre reformave nuk përfaqëson vetëm obligim të cilin e kemi marrë para partnerëve tanë ndërkombëtar por paraqet edhe parakusht që të ndërtojmë një demokraci funksionale, shoqëri stabile dhe ekonomi garuese. Pritja e gjatë para dyerve të Unionit paraqet bërjen e hapave mbrapa dhe siç kemi parë gjatë 2-3 viteve të fundit, kjo na ka çuar në një krizë të thellë institucionale. Ne duhet patjetër ti shfrytëzojmë mundësitë të cilat po na jepen”, tha Bujar Osmani, zëvendës/kryeministër për Euro-Integrime.

Sipas Osmanit, reformat përfshijnë përforcim të kapacitet të Komisionit Shtetëror Zgjedhor, sipas rekomandimeve të OBSE/ODIHR dhe të komisionit së Venecias. Në këtë pako bën pjesë edhe propozim ligji për përdorimin e gjuhëve. Në një pjesë të mediumeve, Qeveria i ka pranuar rekomandimet e Raportit të Komisionit Evropian dhe të ekspertëve të Këshillit të Evropës, të cilët sugjerojnë publikimin e informacioneve të cilat janë në interes të qytetarëve ./21Media

Back to top button