Qeveria zyrtarisht pezulloi projektin e Lumbardhit

E konfirmon Fatmir Gashi

Është zhvilluar takimi i komitetit ndërministror për çështjen e projektit të përfolur rreth investimeve mbi energjinë e ripërtëritshme në Lumbardhin e Pejës. Anëtari i këtij komisioni, i deleguar nga Ministria e Financave, zëvendësministri Fatmir Gashi, ka bërë të ditur se është arritur që nga sot edhe zyrtarisht të pezullohet puna e këtij Komiteti dhe rrjedhimisht me të edhe çështja e projektit të Lumbardhit.

“Qytetarë të nderuar, sapo u mbajt takimi i Komitetit Ndërministror për projektin e Lumbardhit me ç’rast, sipas kërkesës së kryeministrit Haradinaj, reagimit tonë në komision e i cili reagim pasoj edhe me reagimin mbarë qytetarë, u vendos edhe zyrtarisht që të pezullohet puna e këtij Komisioni, që rrjedhimisht nënkupton edhe pezullimin e të gjitha procedurave për projektin e Hidrocentralit në Lumbardh.”, ka shkruar Fatmir Gashi.

Kohëve të fundit u debatua shumë për ndërtimin e hidrocentraleve në Lumbardhin e Pejës, por që u përcoll me protesta të shumta të banorëve. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj më 25 shkurt ka kërkuar ndërprerjen e ndërtimit të hidrocentraleve në Lumbardh.

Ky projekt ka filluar në 18 tetor 2013 në një marrëveshje mes komunës dhe kompanisë Kelpkos për ndërtimin e pesë hidrocentraleve në fshatrat e Rugovës për rreth 120 milionë euro./21Media

Back to top button