Nuk është thjeshtë orar 8 orësh por orar i përjetshëm në shërbim të popullit shqiptarë

Nuk është thjeshtë orar 8 orësh por orar i përjetshëm në shërbim të popullit shqiptarë

Mbi 200 mjekë të specializuar në degë të ndryshme janë bërë bashkë në një grup në rrjetin social Facebook për t’i ndihmuar të gjithë shqiptarëve, me këshilla mjekësore.

Përkundër angazhimeve që kanë, këta mjekë ofrojnë përgjigje dhe këshilla profesionale pa asnjë pagesë, thjeshtë e bëjnë me vullnet dhe kënaqësi që të jenë sa më afër popullit.

Përmes grupit “Familja dhe shëndeti” shumë qytetarë kanë gjetur ndihmesë të madhe sa i përket shëndetit të tyre.

Dr.Ismail Lutolli ka përfunduar studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë, specializimin në fushën e Pediatrisë dhe subspecializimin në tri fusha: Dietologi- Nutricionizëm, Hematologji dhe Onkologji. Ai është ideatori dhe njëri ndër themeluesi i këtij grupi.

Ndërsa së bashku me dy bashkëthemeluesit Dr.Jeton Zenunin dhe Mr.Ph Laureta Berisha Kosumin kanë arritur që ta finalizojnë këtë projekt. Grupi deri tani ka rreth 130 mijë anatarë dhe 12 moderatorë të cilët përkujdesen për postimet që bëhen në grup.

Themeluesi i grupit, Ismail Lutolli për rtv21.tv shpjegoi se ky projekt ka lindur me qëllim që popullit tonë t’i ofrohet një shërbim dhe ndihmë e vazhdueshme profesionale -mjekësore nga ana e mjekëve të grupit e që do të përfshinte çdo familje kudo që ka shqiptarë. “Të rikthejmë ndihmën aq të nevojshme për popullin tonë, ndihmën në 24 orë për çdo ditë të vitit”, thotë ai.

Tek shtetet tona mungonte tërësisht ekzistimi i një institucioni ku familjet tona do të drejtoheshin për ndihmë profesionale mjekësore, pa qenë nevoja të shpenzojnë asgjë nga pagat e tyre por edhe nga koha e tyre”, shtoi Lutolli.

Grupi përmban edhe webfaqen e tyre zyrtare të cilët gjatë gjithë kohës postojnë shkrime profesionale mjekësore e më gjerë të dobishme për çdo familje.

Mr. Laureta Berisha Kosumi po ashtu njëra ndër themelueset e grupit është farmaciste dhe për 7 vite e punon këtë profesion. Përveç që është shumë aktive në grup ajo është edhe një nënë e përkushtuar ndaj dy vajzave të saj.

Grupi synon mirëqenien fizike dhe psiqike të të gjithë atyre që adresohen, qoftë në grup apo edhe në web faqen e tyre, e cila ka një moto të veçantë “Familja e shëndoshë, jetë e lumtur”.

Grupi ka edhe rregullat e veta të cilat duhet të ju përmbahen në mënyrë që grupi të mos e humb anën profesionale që posedon. “Shumëherë jemi të detyruar të fshijmë postime të ndryshme ngaqë e thyejnë rregulloren tonë të punës”, thotë Berisha.

Ajo ndihet e lumtur që mund të ju  ndihmojë njerëzve me anë të shkrimeve apo këshillave.  “Mendoj që në 24 orëshin tonë duhet të ndajmë një pjesë që na përmbushë shpirtërisht, ngaqë veprat e mira që mund të bëjmë për të tjerët dhe kënaqësia që ndjejmë pas dhënies së çfarëdo ndihme, nuk kanë të paguar”, shtoi ajo.

Në internet para se të krijohej grupi “Familja dhe shëndeti” qarkullonin grupe “minore joprofesionale” te cilat më shumë rrezikonin shëndetin e fëmijëve e familjeve tona sesa që i ndihmonin ato.

Berisha ka qenë e zhgënjyer nga komentet që ka parë në grupet e tjera. “Aty shumë nëna kanë shpalosur përvojat me fëmijët e tyre  duke i rekomanduar edhe nënat e tjera. Gjë që kanë mundur të ndikojnë në shëndetin e fëmijeve”, ka thënë Berisha për rtv21.tv.

Sipas themeluesit të grupit, Ismail Lutollit kishte kohë që i shqetësonte aspekti i degradimit të pozicionit të mjekut si humanist dhe njeriu në shërbim të të tjerëve.

Mjeku, ai që do të duhej të shihej si njeri i shpresës, njeri që ofron shërim, buzëqeshje e gjallërim, perceptohet si njeri i korrupsionit, si materialist i skajshëm, që si bëhet vonë për shëndetin e askujt”, ka shtuar Lutolli.

Ndërsa sa i përket mjekëve të grupit, ata janë përkrahja, shpresa, mbështetja në sfidat që kalojnë familjet tona në fushën e shëndetësisë por edhe më gjerë, vlerëson ideatori i grupit.

Grupi i cili u krijua nga 17 shkurti i 2018-ës po konsiderohet si dera në të cilën trokasin për ndihmë të gjithë ata që kanë nevojë./21Media