Qumështarët kërkojnë lehtësira fiskale

Qumështarët janë ankuar për keqpërdorim të granteve

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli bashkëbisedoi të enjten me ekspertë të bujqësisë dhe përpunues të qumështit ku nikoqir ishte “Abi Center” në Prizren. Qumështarët përveç se kërkuan mbështetje më të madhe institucionale për industrinë e tyre përpunuese treguan, sepse grantet dhe subvencionet po keqpërdoren dhe po dëmtohen bizneset e ndershme.

Në turin e tij kryekuvendari Veseli dëgjoi brengat dhe sfidat, të cilat i kanë fermerët e industrisë së qumështit.

Ai foli edhe për periudhat e mëparshme duke treguar se duke i pasur parasysh statistikat të cilat janë aktualisht, del se në vitin 1989 Kosova i ka pasur 400 mijë krerë gjedhe, ndërsa aktualisht janë 260 mijë.

Sipas tij, sektori i bujqësisë ka shumë rëndësi, është një prej sektorëve më të veçantë përmes së cilës edhe kthimi në investim është më i shpejtë.

“Zyrtarisht në vitin 1989 kanë qenë 400 mijë krerë gjedhe në Kosovë, sot i kemi aktualisht 260 mijë, do të thotë pas 28 viteve nuk jemi në të njëjtin nivel për 140 mijë ose rreth 35 për qind. Po flasim si kuantitet pastaj flasim për kualitetin. Sektori i bujqësisë ka shumë rëndësi, një prej sektorëve më të e veçantë përmes së cilës edhe kthimi në investim është më i shpejtë duke pasur parasysh se 60 për qind e popullatës e Kosovës jetojnë në pjesën rurale dhe duke pasur parasysh se e kemi pasur një traditë a mund të intensifikohet dhe a mund të ndryshohet kjo traditë? Sepse kemi pasur një traditë të mirë dhe a mundet me u zhvilluar ne duhet t’i tejkalojmë situatën e vitit 1989, sepse jemi në vitin 2017. Si mund të arrihet kjo, cilat janë vështirësitë? Kjo është ajo që kam dëshiruar të bashkëbisedoj me ju si sektor specifik. Njerëzit po janë të përkushtuar, por si mund t’iu ndihmojmë në mënyrë institucionale më shumë këtyre njerëzve. Koha në Kosovë është për t’u orientuar nga prodhimi dhe nga industrializim i vendit. Nuk është koha për fjalë të thata”, theksoi Veseli.

Ai ka treguar se Kosova ka një numër të madh të papunësisë, dhe sipas tij, bujqësia është një prej gjeneruesve të punësimit. Veseli foli edhe bilancin tregtar që Kosova ka rreth 90 për qind të importit dhe se duhet të rriten edhe më tej investimet në këtë sektor.

Për brengat dhe sfidat që i ka ky sektorë folën ekspertët dhe përfaqësuesit e industrive vendore të qumështit.

Përfaqësuesi i Shoqatës së përpunuesve të qumështit, Gani Durmishi tha se për ta çuar këtë industri përpara është në të mirën e vendit dhe zhvillimit ekonomi, pasi industria e qumështit të Kosovës i ka 41 qumështore të licencuara me 1550 punëtorë dhe diku mbi 25 mijë fermerë.

Alajdin Fusha, drejtor i kompanisë “Abi”, veprimtaria e të cilës funksionon që nga viti 1996, tha se problemi është se çmimi është më i lartë se në rajon. Ai pati dy propozime, njëri që edhe qumështi i pasterizuar të subvencionohet si dhe të hiqet TVSh-ja për qumështin e freskët.

Ndërsa, Islam Islami pronar i qumështores “Alpina” në Keqekollë të Prishtinës, tha se në Kosovë prodhohet qumësht rreth 40 për qind kurse pjesa tjetër importohet. E megjithatë, edhe pse nuk prodhohet aq sa nevojitet, sipas tij, as kjo sasi e prodhuar nuk po shitet.

Ymer Berisha nga qumështorja “Bylmeti” përmendi edhe faktin se edhe grantet që i marrin nuk janë dhe aq përfituese, ngase po janë të obliguar t’i japin shtetit me miliona euro tatime për çdo muaj.

Ai theksoi se mbase Qeveria nuk po ka mundësi për t’i monitoruar subvencionet te fermerët, sepse po dyshohet se ka keqpërdorime, dhe përfituesit po ndërtojnë shtëpi dhe po blejnë vetura luksoze duke i dëmtuar bizneset e ndershme, andaj kërkoi të ndalen të gjitha ato subvencione dhe grante.

Ndërsa, ministri i Bujqësisë dhe i Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, theksoi se ka shumë gjëra të mira në sektorin e qumështit, por ka ende shumë probleme dhe sfida.

“Është evidente që mund të flasim për shumë gjëra të mira, por ka ende shumë probleme dhe shumë sfida për të cilat kemi diskutuar dhe diskutojmë në vazhdimësi që të ndërlidhen në përgjithësi edhe me institucionet, por që ndërlidhen edhe me ambientin tregtarë që ndërlidhen edhe me modelin ekonomik të funksionimit”, theksoi Krasniqi.

Edhe prodhues dhe përpunues të tjerë të qumështit në Kosovë kërkuan lehtësira fiskale inistitucionale për veprimtarinë e tyre.

Back to top button