Qytetarët ankohen për shtrenjtimin e produkteve të konsumit

Çmimet e konsumimit në dhjetor të vitit të kaluar janë shtrenjtuar për 0.2 përqind

Çmimet e produkteve bazë janë shtrenjtuar në Kosovë, e janë qytetarët që ankohen se këto çmime po bëhen të papërballueshme për ata. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, çmimet e konsumimit në dhjetor të vitit të kaluar janë shtrenjtuar për 0.2 përqind, krahasuar me periudhën e njëjtë të një viti më herët.

Çmimi është rritur në produktet si mishi 0.6 përqind dhe perimet 5.7 përqind. Ndërsa, kjo ngritje e çmimeve po vërehet edhe gjatë këtij muaji.

Qytetarët deklarojnë se çmimet po rriten për çdo festë, duke thënë se nuk po shikohet fare se cilat janë mundësitë e qytetarëve për t’i blerë këto produkte.Fahrije Pajaziti, banore e Prishtinës, tha se që para festës së Vitit të Ri në tregun e gjelbër janë shtrenjtuar të gjithë artikujt. Duke qenë se jeton vetëm me bashkëshortin, ajo tha, se nuk e kanë vështirë të përballojnë shtrenjtimin e çmimeve të gjërave ushqimore. “Kush ka para nuk janë shtrenjtë, kush nuk ka shtrenjtë…Krejt janë më shtrenjtë…neve nuk na dëmton se jemi dy pleq, i kemi pensionet po kalojmë, e për të tjerët normal që janë shtrenjtë, kush nuk ka, e kush nuk ka të punësuar, krejt rinia po sillen rrugëve”, deklaroi ajo. Se çmimet po bëhen të papërballueshme e thotë edhe qytetarja Lumnije Halilaj, sipas së cilës në vazhdimësi në vend ka ngritje të çmimeve të ushqimeve bazë.“Po normal na dëmton, 10 cent me qenë më shtrenjtë na dëmton. Nuk ki çka bënë, jeta është kështu”, tha ajo. Ndërkaq, qytetari Xhevat Isufi, thotë se ngritja e çmimeve po bëhet pak e tepërt, pasi çmimet duhet të jenë në një linjë me pagat dhe pensionet.“Keq është që po rriten, po tash çka kemi me bë na. Ndoshta edhe ata tregtarët nuk i kanë prodhimet e veta, i blejnë dhe ata e kanë një farë interesi pak, por janë pak tepër”, tha ai. Megjithatë, qytetari Bajram Osmani, thotë se nëse çmimet rriten për shkak se nuk importohet nga Serbia, është e pranueshme për të.“Këtu po lidhet me taksën, pasi dëmtohet Serbia nuk ka gajle edhe na pak, pak më shumë ata”, tha ai.

Derisa tregtarët në tregun e gjelbër nuk kanë dashur të flasin lidhur me rritjen e çmimeve. Përveç gjerave ushqimore, në kryeqytet është shtrenjtuar edhe kafeja.

Janë disa lokale në lagjen e Muhagjerëve, janë koordinuar dhe nga 0.50 cent, ditëve të fundit kanë rritur çmimin në 0.70 cent. Kp ka tentuar të flas me banorët në këtë lagje por ata nuk kanë dashur të flasin para kamerave. “Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë për 1,2% në muajin dhjetor 2019 krahasuar me muajin dhjetor 2018. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te nëngrupet e COICOP-it: buka dhe drithërat 4,7%, mishi 2,8%, pemët 6,0%, sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata dhe ëmbëlsirat 2,0%, produkte të ndryshme ushqimore, kripëra, erëza etj. 2,5%, kafja, çaji dhe kakao 10,4%, ujë, pijet joalkoolike, lëngjet nga pemët dhe perimet 1,4%, duhani 2,6%, pajisje shtëpiake 2,0%, qelqurinat, takëmet dhe mjetet e kuzhinës 3,0%, mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake 1,9%, produkte mjekësore, aparaturë dhe pajisje 1,4%, blerja e automjeteve 3,9%, shërbimet telefonike dhe të telefaksit 0,7%, shërbimet hoteliere 0,9%, shërbimet e akomodimit 6,0%, gjërat personale 3,0%, sigurimet 19,3%, me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1,8 për qind në IHÇK-it”, thuhet në raportin e ASK-së.

Ngritja u neutralizua kryesisht nga rënia e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: perimet -9,3%, energji elektrike, gaz dhe lëndë djegëse të tjera -1,9% – rënie e çmimeve të druve për ngrohje), përdorimi i pajisjeve për transportin personal -1,8%)-(rënie e çmimeve të naftës dhe benzinës), shërbimet për transport -5,9%)-(rënie e çmimeve të biletave të transportit ajror), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej -0,6 për qind në IHÇK-it.

Back to top button