Sipas Hazirit, cilido parti që e ka një votë më shumë, ajo e udhëheq qeverinë

Sipas Hazirit, cilido parti që e ka një votë më shumë, ajo e udhëheq qeverinë

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri sot ka deklaruar se në zgjedhjet parlamentare të 06 tetorit në Kosovë ka fituar opozita, jo individi e as grupi politik.

“Nëse e bëjmë një përkufizim, i bie që qytetarët e Kosovës kanë votuar për ndryshim dhe ia kanë besu LDK’së dhe LVV’së këtë rezultat. Fitues të vegjël janë LDK dhe LVV. Ne po e presim rezultatin final të zgjedhjeve sepse votat nuk janë numëruar deri në fund.”, ka shkruar Haziri në facebook.

Sipas tij, kushdo që del fituese e zgjedhjeve sjellja duhet të jetë e përgjegjshme sepse sipas tij, njerëzit kanë votuar për ndryshim.

“Cilado parti që del fituese, duhet të sillen përgjegjshëm dhe kokëulur karshi këtij rezultati sepse njerëzit kanë votuar për ndryshim. Nuk kanë votuar as për individin e as për partinë politike. LDK ka vendosur standardin, cilido që e ka një votë më shumë, ai e udhëheq qeverinë!”, ka shtuar më tutje Haziri.

Ndryshe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) sot vendosi që të rinumërohen edhe 530 vendvotime. KQZ fillimisht kishte vendosur që të rinumërojë 314 vendvotime pas disa ankesave që janë bërë me probleme teknike, tani sipas tyre janë edhe 149 vendvotime të kësaj natyre, që duhet të rinumërohen./21Media