Thirrje për kujdes ndaj zjarreve në Kosovë

Thirrje për kujdes ndaj zjarreve në Kosovë

Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave e Ministrisë së Punëve të Brendshme u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës të jenë të kujdesshëm dhe vigjilent për shmangien e të gjithë shkaktarëve të mundshëm të zjarrit dhe të lajmërojnë me kohë, si dhe të ndihmojnë në shuarjen e zjarreve.

“Tashmë kemi hyrë në sezonin e verës që karakterizohet me temperatura të larta të ajrit, të cilat ndikojnë në rritjen e rrezikut për shfaqjen dhe zgjerimin e vrullshëm të zjarreve në sipërfaqe të hapura, malore dhe fushore”, thuhet në kumtesën e dërguar nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Për çfarëdo rasti të zjarreve, mund të thirrni në Qendrën Operative Emergjente, nëpërmjet numrit të integruar emergjent – 112.

“Gjithashtu mund të thirrni pa pagesë edhe në këta numra:Policinë e Kosovës, në numër të telefonit 192, Njësinë profesionale të zjarrfikjes dhe shpëtimit në numrin e telefonit 193, Ndihmën e shpejtë, në numër të telefonit 194”, thuhet në njoftim.

Zjarrvëniet e qëllimta si dhe ato të shkaktuara nga pakujdesia, janë vepër penale dhe sanksionohen me ligj.