Edhe këtë vit probleme me listat e votuesve

Edhe këtë vit probleme me listat e votuesve

Shqipe Makolli, qytetare nga Prishtina sot e shfrytëzoi të drejtën e saj për të votuar.

Ajo votoi sot në qendrën e votimit në shkollën “Nazmi Gafurri” në kryeqytet.

Teksa po nënshkruante në listën e votuesve, Shqipja ka parë emrin e vëllait të saj të ndjerë, Ilir Makolli.

E brengosur që tash e 12 vjet që nga vdekja e vëllait, emri i tij ende figuron në listat e votuesve, Shqipja i shkroi rtv21.tv për të raportuar rastin.

Ajo tha se është fjalosur me komisionarët dhe vëzhguesit në qendrën e votimit, dhe pas rezistencës së saj përfaqësuesit i kanë bërë një x emrit të vëllait të saj.

Ndryshe, gjatë ditë dhjetëra qytetarë kanë raportuar se emrat e familjarëve të tyre të ndjerë figurojnë ende në listat zgjedhore.

Më 4 shtator, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur mbledhjen në të cilën është marrë vendim për pastrimin e listave zgjedhore ndërsa ka njoftuar edhe për numrin e përgjithshëm të votuesve në zgjedhjet e së dielës më 6 tetor.

Ata bënë të ditur se lista preliminare e votuesve përmban rreth 1 milion e 972 mijë e 466 emra të votuesve. Krahasuar me listën përfundimtare të votuesve të Zgjedhjeve Lokale të datës 22 tetor 2017, për këto zgjedhje, lista preliminare e votuesve përbën 115 mijë e 215 emra të votuesve më shumë.

Gjithashtu, KQZ vendosi edhe për largimin e 33 mijë e 791 emra të votuesve si të vdekur ose si votues që kanë hequr dorë nga shtetësia e Republikës së Kosovës./21Media