Rakiq ka kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të taksës

Rakiq ka kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të taksës

Qindra qytetarë serbë kanë protestuar sot në fshatin Rudare të komunës së Zveçanit, kundër taksës së mallrave të Serbisë dhe arrestimit të katër personave sot në veri të Mitrovicës, të dyshuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Ministri i Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviq ka thënë para të pranishmëve se serbët duhet të jenë të bashkuar dhe unik, si dhe të qëndrojnë të qetë në mënyrë që askujt  most’ i japin rast për t’i sulmuar ata, sepse siç u shpreh ai, dikush për çdo ditë pret të ndodhë diçka e tillë.

Kryetari i veriut të Mitrovicës, Goran Rakiq ka kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të taksës, duke thënë se rezervat ushqimore janë në fund dhe do të ketë mungesë të artikujve ushqimorë elementarë.

Sipas tij, sot është protestuar edhe për shkak të ndërhyrjes së ROSU-së në veri të Mitrovicës, me ç’rast janë arrestuar 4 qytetarë.

Ai ka shtuar se përmes aksioneve të tilla policore dëshirohet të frikësohet popullata në atë pjesë, që për pasojë do të kishte shpërnguljen e qytetarëve serbë.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, Igor Simiq ka porositur kolegët e tij të të gjitha nacionaliteteve pa dallim se ngritja e taksave nuk është gjë e mirë dhe godet qytetarët serbë e shqiptarë bashkë.

Ai u ka bërë thirrje që për shkak të paqes dhe përpjekjeve të përbashkëta 20 vjeçare për një ambient të qetë,  që secili prej tyre të ngre zërin, ngase kjo masë rrezikon ekzistencën e njerëzve këtu, para së gjithash të serbëve.

Protesta ka zgjatur një orë dhe nuk është shënuar ndonjë incident, ndërsa rreth një kilometër larg vendit të protestës janë vërejtur numër i madh i pjesëtarëve të KFOR-it hungarez në gjendje gatishmërie.

Produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnja për në Kosovë do të kenë taksë prej 100%. Qeveria e Kosovës ka miratuar para dy ditëve propozimin e Ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala për të vendosur taksë prej 100 për qind ndaj produkteve serbe dhe atyre nga Bosnja.