Rama: 25 qershori, përgjegjësi, Meta të marrë atributet e presidentit

Rama i ka dërguar një mesazh ish-aleatit të tij Ilir Meta

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar paraditen e kësaj të hëne një mbledhje me deputetët socialistë të dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit.

Në fjalën e tij, Rama ka theksuar se marrja e mandatit përbënë një përgjegjësi për Partinë Socialiste, e cila do të mund të qeverisë e vetme.

“Kemi marrë më shumë vota se 4 vite më parë, shumë e rrallë për një parti që udhëheq vendin. Kanë votuar 73 për qind e shqiptarëve të pranishëm në atdhe. Ta mbajmë të gjithë vath në vesh se një mbështetje e këtyre përmasave nuk është më shumë vlerësim për atë që bëmë, sesa besim për atë që mund të bëjmë. Mosjustifikimi i këtij besimi do të ishte fatal për PS”, ka thënë Rama.

Pasi ka falënderuar eksponentët kryesorë të partisë së tij, Rama i ka dërguar një mesazh edhe ish-aleatit të tij Ilir Meta, si dhe Partisë Demokratike.

“Falenderoj Ilir Metën, jo për gjërat që i çoi për dreq, por për çdo kontribut pozitiv e të pamohueshëm që dha në punën e përbashkët. I lutem Metës të reflektojë si presidenti që i mori votat tona për të qenë konsensual e jo konfliktual e të përqendrohet tek ndreqja e gabimeve që i bëri figurës së presidentit në 40 ditët e fundit. Falënderoj edhe ministrat e LSI-së për kontributin pozitiv që dhanë në arritjet e qeverisë”, ka thënë Rama.

Sa i takon PD-së, kreu i qeverisë ka rikonfirmuar se marrëveshja e 18 majit do të mbetet një “busullë orientuese” në marrëdhëniet pozitë-opozitë.  Ai ka shtuar më tej se prioriteti i PS për këtë fazë tranzicioni deri në formimin e qeverisë së re do të jetë reflektimi mbi gabimet e mandatit të kaluar.

“Struktura e qeverisë së re do të shpallet pas reflektimit, deri në gusht. Nëse dështojmë në përgatitjen e këtij koalicioni me qytetarët duhet të përgatitemi për një dështim më të madh”, ka shtuar Rama.

Rama ka njoftuar më tej formimin e grupeve të punës, që do të merren me organizimin e dëgjesave qytetare, me qëllim zgjidhjen e problemeve sociale.

Back to top button