Deri tash janë mbledhur 5 milionë euro e mbi 1 milion dollarë

Deri tash janë mbledhur 5 milionë euro e mbi 1 milion dollarë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama kërkon që në Komitetin Kombëtar të Rindërtimit të përfshihet edhe opozita me dy përfaqësues. Në mbledhjene jashtëzakonshme të qeverisë, Rama tha se çdo qindarkë do të bëhet transparente dhe nuk do të ketë abuzim.

“Çdo qindarkë do të bëhet transparent ku shkoi, do të ketë shumë sy, shumë palë që do të kenë akses në këtë pikë. Unë do të vlerësoja dhe ne do të ishim vlerësuar në rast se opozita do të përfshinte në Komunitetin Kombëtar të Rindërtimit me dy përfaqësues qoftë në aspektin financiar apo teknik. Nuk kemi çfarë ndajmë, nevojën e përbashkët për të bërë më të mirën për njerëzit. Ky komunitet nuk është komisioni i reformës zgjedhore, as i dekriminalizimit dhe as i ndarjes së engjëjve dhe djajve. Në këtë ditë pa diell dhe në këtë punë që do të vazhdojë e papërfshirë dhe e pacënuar nga avazi politik që diskutohet është mirë që të jemi bashkë dhe punojmë bashkë”, ka deklaruar Rama.

Kur operacionet për kërkim shpëtimit po shkojnë drejt fundit, qeveria ka nisur përllogaritjen e dëmeve të shkaktuara nga tërmetet e fundit.

Në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë, Rama ka njoftuar gjithashtu se çadrat e ngritura në Thumanë dhe në Laç do të hiqen dhe banorët do të akomodohen në hotele.

Ndërsa për banorët e Bubqit tha Rama ata nuk do të largohen, por do të ngrihen çadra të një tjetër kategorie, pasi banorët në këtë zonë janë të lidhur me blegtorinë dhe nuk mund të braktisin zonat.

“Në qarkun e Durrësit janë 1260 persona të akomoduar, nga të cilët deri tani janë 625 në hotele dhe 360 në palestrat e shkollave. Të tjerët janë në çadra apo tek të afërmit. Në Thumanë janë rreth 500 persona të akomoduar në çadra, për ta ka filluar transporti nga kampet për në hotele në Shengjeni”, tha ai.

Siaps tij, në Qarkun e Tiranës 3480 persona janë pa strehë, ndërsa në Berat 250 persona. Në Durrës janë evidentuar 701 banesa të dëmtuara, 12 te shkatërruara, 176 pallate të dëmtuara. Në Tiranë banesa 15 të shkatërruara, 239 të dëmtuara, 8 pallate janë jashtë përdorimit.

Rama tha se ky është bilanc fillestar, ndërsa theksoi se sot vijnë ekipet e para te inspektorëve teknikë për të bërë një analizë të dëmeve së bashku me ekspertët shqiptarë.

Sa i përket kontributeve Rama tha se shuma e grumbulluar është goxha inkurajues, por për shkak se bankat janë të mbyllura nuk mund të thuhet sa është bilanci i plotë. Sipas tij, deri tani shkon një shumë 5 milionë euro dhe 1,5 milion dollarë.

Deri më tani numri i viktimave nga tërmeti vdekjeprurës i 26 nëntorit ka shkuar në 48, ndërsa ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë thotë se operacion i shpëtim kërkimit po vazhdon ende.