Rama: Do të ndërtojmë lagjet e reja të Rilindjes në zonat ku shkatërroi tërmeti

Rama tha se nuk do të ketë banesa sociale

Kryeministri Edi Rama shpalli objektivin këtë të martë për programin e rindërtimit pas tërmetit, duke deklaruar se synimi është ndërtimi i një lagjeje të re në Durrës, më e bukura pas ’90. Duke folur në mbledhjen e 6-të jashtëzakonshme të qeverisë, Rama tha se nuk do të ketë banesa sociale si ato që jemi mësuar të shohim deri më tani.

Po diskutojmë për disa skenarë. Skenari im i preferuar është ndërtimi i disa qytezave të reja. Objektivi im është të arrijmë në një program rindërtimi që të jetë krenari kombëtare. Jo banesa sociale të tipit që kemi njohur deri tani me banesa që bëhen për të varfrit dhe që e kanë të shkruar në ballë gjithë jetën që janë në shtëpitë e të varfërve. Por të ndërtojmë në Durrës një lagje koplet të re që të jetë lagjia më e bukur e Durrësit pas ’90 padiskutim.  Një lagje e re nga e para, me infrastrukturë, me kanalizime, me ujësjellës, me kopësht, çerdhe, shkollë, mjedise publike dhe banimi. Në Tiranë kemi diskutim një skenar për të ndërtuar një lagje komplet të re të madhe një skenar për të ndërtuar dy më të vogla.”, tha Rama.

Më tej deklaroi se do të shqyrtohet kjo çështje në një konsultë që po përgatit Ministrja e Kulturës.

“Do ta shtrojmë këtë çështje në një konsultë që po përgatit Ministrja e Kulturës me arkitektë dhe urbanistë të huaj që kanë shprehur gatishmërinë vullnetarisht për të na dhënë konsulencë. Po kështu në zonën e Kurbinit të gjithë pallatet që kemi vizituar dje do të shemben dhe do të ndërtojmë një lagje të vogël komplet të re. Për momentin po bëjmë kalkulimet e nevojshme. Ambicia ime është të kemi një objektiv afatmesëm prej 10000 apartamentësh në terësi dhe një objektiv afatshkurtër prej 5 mijë apartamentesh sepse kështu mund të përfshijmë jo vetëm ata që janë drejtëpëdrejtë të prekur, por edhe ata që janë me probleme sociale”, deklaroi Rama.

Në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë, Edi Rama tha se do të niset sot drejt Londrës për të marrë pjesë në Samitin e Aleancës së Atlantikut të Veriut. Shefi i qeverisë theksoi se në këtë samit do të interesohet dhe do të kërkojë ndihmë financiare dhe teknike nga vendet anëtare me qëllim përballimin e pasojave të tërmeti të 26 nëntorit.

“Ndryshimet në buxhet do i bëjmë drejtpërdrejt përmes parlamentit në komisionin e Ekonomisë dhe më pas në seancë. Më duhet që së bashku me ministrin e Mbrojtjes dhe Cakaj që sot të shkojmë në Londër, ku jemi në Samitin e NATO-s, kemi një detyrë plus përveç samitit që të bisedojmë me të gjithë homologët, unë me liderët e vendeve anëtarë dhe ministrat dhe homologët për asistuar në nevojën për solidaritet të drejtpërdrejt financiar dhe teknik”, tha Rama.

Në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë që drejton, i ka paralajmëruar sërish të gjithë ndërtuesit që të marrin përgjegjësitë që ju takojnë. Ai tha se ka pranuar mesazhe nga disa prej tyre se nuk mund të ndihmojnë asgjë pasi janë të falimentuar, por kryeministri shtoi se kjo nuk i arsyeton. Ai uroi që prokuroria e përgjithshme të bëjë të gjithë punën e nevojshme për të identifikuar përgjegjësitë përkatëse./oranews

Back to top button