Rama e fajëson Qeverinë për dështimin e ”Sunny Hill Festival” në Prishtinë

Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka reaguar pas dështimit të mbajtjes së Festivalit ”Sunny Hill” në Prishtinë.
Rama e ka fajësuar Qeverinë për zvarritje, madje sipas tij, ky anulim do t’i shkaktojë dëm kryeqytetit në kulturë, turizëm, në zhvillimin ekonomik dhe në imazhin e vet të përgjithshëm.
”Dështimi i këtij festivali sivjet, është humbje jo vetëm për Prishtinën, por për gjithë Kosovën. Qeveria e Republikës së Kosovës duke e zvarritur procesin e vendimit të ligjshmërisë, ka tentuar të ndërhyjë në vullnetin dhe integritetin e asambleistëve shumicë të Kuvendit Komunal të Prishtinës, duke bërë përpjekje të vazhdueshme për të ndërhyrë në kompetencat e Kuvendit të Komunës dhe vullnetit të shumicës, e cila përfaqëson sovranin e kryeqytetit”, ka shkruar Rama në ”Facebook”.
Rama ka thënë se pret nga Qeveria të reflektojë dhe Sunny Hill Festival, t’i kthehet shtëpisë së vet, Prishtinës, dinjitetshëm, ashtu siç e meriton secili qytetar i kryeqytetit.
Lajmin për dështimin e ”Sunny Hill Festival”, e ka dhënë për RTV21 Alban Kastrati, i cili ka thënë se ”Sunny Hill Festival” do të mbahet në Tiranë këtë vit.
Gjithashtu edhe themeluesi dhe organizatori i Sunny Hill Festival, Dukagjin Lipa përmes një postimi në ”Facebook”, ka treguar se iu kanë adresuar letër krerëve të shtetit, mirëpo krahas gjithë përpjekjeve të tyre, sipas tij ata janë gjetur peng i politikëbërjes në kurriz të këtij festivali.
Ndërsa, Sunny Hill Festival përmes faqes zyrtare ka treguar se personat të cilët i kanë blerë biletat mund t’i shfrytëzojnë në Tiranë, ndërsa ata të cilët nuk kanë mundësi të jenë në Tiranë, kanë mundësi të rimbursimit të biletave, ku dritarja e rimbursimit do të hapet nga 1 korriku deri më 15 korrik./21Media

Back to top button