Kryemninistri me një mesazh për tre fëmijët e Tanushit

Kryemninistri me një mesazh për tre fëmijët e Tanushit

Shqipëria sot është në zi kombëtare në nder të majorit Klodian Tanushi i rënë në krye të detyrës gjatë një misioni në Letoni.

Në nder të major Tanushit, komandant i kontingjentit shqiptar në Letoni, ditën e sotme në të gjitha institucionet publike e private, flamuri kombëtar u ul në gjysmështizë.

Ndërkohë në Muzeun Historik Kombëtar, prej orës 10:00-12:00, u mbajt ceremonia e homazheve.

Të parët që u përkulën mbi arkivolin e mbuluar me flamurin kuq e zi ishin familjarët, ndërsa moment prekës ishte parakalimi para fotos së Klodian Tanushit i bashkëshortes me të bijën 1 vjeç e gjysmë.

Veç miqve dhe të afërmve, homazhe në nder të majorit zhvilluan edhe kolegë të tij ushtarakë shqiptarë dhe të huaj, ish-ministrja e mbrojtjes Mimi Kodheli, dy n/kryetarët e Partisë Demokratike, Edi Paloka dhe Edmond Spaho, Presidenti Ilir Meta, Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi i shoqëruar nga deputeti Taulant Balla, zëvendësministri i Mbrojtjes Petro Koçi, Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka dhe kryeministri Edi Rama.

Mbyllja e homazheve i la vend më pas ceremonisë shtetërore. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Bardhyl Kollçaku, teksa shprehu vlerësimin për punën e komandantit të ndjerë, shprehu mbështetjen për familjen, gruas dhe tre fëmijëve.

“Klodian sakrifikoi për ta dhe të ardhmen e fëmijëve. Ne të gjithë bashkë do të bëjmë gjithçka për ta. Nuk do t’u lëmë vetëm. Komandant Klodi, do të na marrë malli për ty. Shërbimi yt do të mbetet i shenjtë, prandaj po të përcjellim në vendin e të pavdekshmëve”, tha Kollçaku.

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, mes lotëve tha se major Tanushi e përmbushi me nder misionin e tij, teksa zbuloi dhe amanetin e tij.

“Në ceremoninë e 10-Vjetorit të NATO-s, të cilin e festuam pak kohë më parë, major Klodian Tanushi na dërgoi një mesazh urimi live nga Letonia. Në ato pak fjalë, që ai i shqiptoi me emocion, na la edhe amanetin e fundit: Mbi interesat vetjake, të vëmë interesat e mbarë shoqërisë.Pikërisht, kjo e vërtetë na ka mbledhur sot të gjithëve këtu, për të përcjellë me nderime njeriun, që humbi jetën bashkë me të ardhmen e ëndrrat e tij, për paqen e sigurinë e të gjitha familjeve tona. Duke nderuar Klodin, ne përulemi me respekt përpara një simboli të sakrificës. Me ndjenjën më të sinqertë të respektit, dua t’u them prindërve të Klodit sedjali juaj jetoi me gatishmërinë për të dhënë gjithçka, sepse ju i dhatë gjithçka. Ai ishte në anën e çdo familjeje shqiptare, që kërkon siguri e qetësi, sepse ju i mësuat atij vlerën e nderit, të respektit dhe të detyrës. Sot, ju prindër, vëllezër e motra, bashkëshorte e fëmijë të Klodit, jeni një familje dëshmori, që në breza do të krenohet me gjakun që dha për popullin e Shqipërisë nga gjaku juaj. Jeta jote Klodi ishte luftë. Betejën me jetën nuk e fitove, por fitove atë me përjetësinë”, u shpreh Xhaçka.

Ndërsa kryeministri Edi Rama u shpreh se majori u kthye në hero.

“Klodiani ishte në një mision paqëruajtës dhe jetëshpëtues. La jetën e tij për të mos lejuar jetë të tjera të humbin. Në një libër të shenjtë një vetëflijim i tillë quhet vetëflijim për miqtë e panjohur.Ky është thelbi i të gjitha misioneve paqëruajtëse dhe jetëshpëtuese. Jeta e Klodianit dhe Zarifes flet për dinjitetin e gjakut që nuk bëhet ujë.Ata na tregojnë se paqja ka gjithmonë një çmim, bashkimi ka gjithmonë një vlerë, ata na tregojnë se dielli i shqiptarëve lind gjithmonë nga Perëndimi”, tha Rama.

Në përfundim të fjalës së tij Rama pati edhe një mesazh për tre fëmijët e Tanushit. “Një fjalë për tre fëmijët. Një ditë kur të bëheni prindër do të keni kuptuar përfundimisht atë që babai juaj ka lënë sot shënim në zemrat tuaja. Asgjë në këtë jetë nuk vlen sa emri dhe kujtimi”.

Pas kryerjes së homazheve dhe ceremonisë shtetërore, major Tanushit do t’i jepet lamtumira e fundit në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë, ku do të prehet përjetësisht./oranews