"Sfidë e re e çdonjërit prej të thirrurve"

“Sfidë e re e çdonjërit prej të thirrurve”

Në vazhdën e ftesave nga Gjykata Speciale kanë ardhur ftesa për ish udhëheqësit tjerë të UÇK-së, dje është ftuar ish kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, Bislim Zyrapin këshilltari i presidentit të Kosovës,  si dhe sot ish- zëdhënësi i UÇK-së Jakup Krasniqi.

Dorëheqja e Haradinajt nga posti i kryeministrit për këtë arsye ngjalli shumë reagime, reaguan liderët e vendit e po ashtu edhe politika në Shqipëri, por mungoi një nga ta, kryeministri shqiptar Edi Rama.

Ai sot ka bërë një postim në Twitter rreth kësaj çështje por nuk ka përmendur asnjë emër.

“Këto ftesa në radhë nga Haga për protagonistët e UÇK, janë një sfidë e re e çdonjërit prej të thirrurve, në vazhdën 20-vjeçare të betejës së pasluftës, për të provuar deri në fund pafajësinë e tyre. Por janë edhe një sfidë e papërfunduar kombëtare në anën e duhur të historisë”, ka shkruar Rama .

Polemika në mes Haradinaj dhe Ramës kishin filluar në muajin prill kur Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se  presidenti Hashim Thaçi, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i kanë bërë presion më shumë se Vuçiqi në sy të të gjithëve në Berlin për ta hequr taksën. /21Media