Rama takoi zëvendëskomandantin e EUCOM-it

Rama takoi zëvendëskomandantin e EUCOM-it

Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, me ftesë të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, mori pjesë në konferencën e shefave të mbrojtjes Karta e Adriatikut A5, e cila u mbajt në Durrës nga 24 shtator deri 26 shtator.

Ai në këtë konferencë udhëtoi nga Kosova së bashku me komandantin e Gardës Kombëtare të Iowa-s, gjeneralmajor Benjamin Corell.

Konferenca kishte për qëllim të sinkronizojë të gjitha aktivitetet trajnuese dhe ushtrimet e përbashkëta ndërmjet shteteve anëtare, përfshirë EUCOM-in, në ngritjen e gatishmërisë gjatë operacioneve të përbashkëta për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.

Gjithashtu qëllim tjetër i rëndësishëm i kësaj iniciative rajonale është edhe mbështetja e shteteve që aspirojnë integrimin në NATO.

Rama gjatë kësaj konference foli për procesin e tranzicionit, si dhe të arriturat e FSK-së. Ai tha se FSK vazhdon t’i ngritë kapacitetet e saj sipas Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit, dhe se mbështetja e partnereve strategjikë gjatë këtij procesi shumë të rëndësishëm.

FSK si forcë e ndërtuar dhe e zhvilluar me standarde të NATO-s, është e gatshme t’i marrë përsipër të gjitha obligimet që dalin nga anëtarësimi në Kartën e Adriatikut – A5, për të  ndërvepruar dhe kontribuar me kapacitetet e saj për paqe dhe stabilitet në rajon dhe më gjerë”, tha Rama.

Komandanti i FSK-së gjatë konferencës ka zhvilluar takime dypalëshe me zëvendëskomandantin e EUCOM-it, gjenerallejtënant Stephen Twitty, si dhe me kryesuesit e delegacioneve të vendeve pjesëmarrëse në konferencë.

Temë diskutimi e këtyre takimeve ka qenë avancimi i bashkëpunimit në fushën e zhvillimit të kapaciteteve të FSK-së, aktivitetet e përbashkëta trajnuese, por gjithashtu edhe ofrimi i kapaciteteve trajnuese të FSK-së për zhvillim profesional të kapaciteteve të partnerëve tanë.

Rama falënderoi shtetet anëtare të Kartës së Adriatikut A5, për përkrahjen e vazhdueshme në ndërtimin dhe forcimin e partneritetit, i cili e ndihmon jo vetëm Forcën e Sigurisë së Kosovës, por të gjithë Kosovën.