"Është e çuditshme që e dëgjoj këtë pyetje nga mëngjesi deri në darkë"

“Është e çuditshme që e dëgjoj këtë pyetje nga mëngjesi deri në darkë”

I pyetur nëse duhet shpallur gjendja e jashtëzakonshme, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një konferencë për media ka thënë se ky është një akt formal, për të cilin nuk ka pasur kohë të mendojë sot, por sigurisht që do të shqyrtohet nesër.

Nga Spitali i Traumës ku vizitoi edhe të plagosurit, Edi Rama nën trysninë e zemërimit tha se gjithkush që pyet për këtë temë pa lidhje në një moment kaq të rëndë është palidhje.

Rama tha se të gjithë të prekurit nga tërmeti do të trajtohen në mënyrë dinjitoze nga të gjithë, duke filluar që nga strehimi deri tek kthimi në shtëpi, si dhe krijimi i kushteve për fëmijët që të studiojnë në kushte normale.

“Është e çuditshme që e dëgjoj këtë pyetje nga mëngjesi deri në darkë. Do të thotë që akti formal i gjendjes së jashtëzakonshme nuk është se sjell më shumë seç ka sjellë sot gjithë ky intensitet, solidaritet dhe volum pune. E njëjta gjë në ditët në vijim. Nuk do të ndryshojë asgjë dhe nesër është dita kur duhet menduar për të gjitha përfshirë edhe këtë që thoni ju. Ju jeni të pafajshëm në këtë rast, por të fajshëm janë të tjerë që vazhdojnë edhe në ditën e sotme, që të cytin në një mënyrë apo në një tjetër për mendje ngushtësinë e tyre, tema që janë pa lidhje.  Ne do t’i vlerësojmë të gjitha, por një gjë është e sigurt që sot ka njerëz që sot mund të ishim të gjithë ne dhe do të trajtohen në mënyrë dinjitoze nga të gjithë ne. Duke filluar që nga strehimi deri tek kthimi në shtëpi dhe krijimi i kushteve për fëmijët që të studiojnë në kushte normale. Sot s’kemi pasur asnjë sekondë për të menduar për aspekte formale. Sot ka qenë momenti për të dhënë gjithçka dhe kemi dhënë gjithçka”, ka thënë Rama./oranews