"Ju lutem, ju lutem, ju lutem na ndihmoni !"

“Ju lutem, ju lutem, ju lutem na ndihmoni !”

Ishte kjo kërkesa e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, përcjellë vendeve të ndryshme të botës përmes ambasadorëve të tyre rezident në Tiranë gjatë takimit që pati në Pallatin e Brigadave lidhur me situatën e krijuar nga tërmeti.

Rama tha se veç ndihmës monetare, kërkohet edhe dije.

Na jepni të gjithë dijet më të mira që keni për këtë. E di që paratë janë thelbësore, por dija është themelore për ti shpenzuar këto para në mënyrën më të mirë. Njerëzit po kontribojnë me zemrën plot dhe nuk mund të lelojmë që ky proces të prishet nga abuzivizmi dhe korrupsioni.Duhet vepruar shpejt, nuk ka kohë për të ndjekur procedurat e zakonshme. Duhet vepruar shpejt, por dhe me transparencë, ndaj do të jetë me dobi të marrim ndihmë dhe dije dhe për këtë”, ka thënë Rama.

Shefi i qeverisë bëri një pasqyrë të situatës me të cilën po përballet Durrësi dhe kryeqyteti, duke u shprehur se njerëzit kanë frikë të flenë në banesat e tyre.

“Kemi nevojë për ndihmë. Ajo me të cilën po përballemi është një moment mjaft i mprehtë tensioni dhe çekuilibri psikologjik. Njerëzit kanë frikë, janë të pasigurt, kanë nevojë të shohin që gjërat do të bëhen më mirë. Do të nisin të kenë durim nëse do ta ndjejnë dhe do të shohin që bota nuk do të na lërë vetëm. Njerëzit kanë ikur nga Tirana dhe Durrësi duke shkuar në qytete të tjera. Njerëzit nuk ndihen të sigurt në ndërtesën time, në ndërtesën e Kryeministrisë. Gjysma e njerëzve nuk flenë në Tiranë, vinë në punë në mëngjes nga Elbasani, Fieri,Vlora.Në shtëpinë e nënës sime ka shumë që nuk janë aty”, ka thënë Rama.

Rama e nënvizoi si shumë të rëndësishme ekspertizën e huaj edhe në kontrollin e banesave.

Kemi nevojë të punojmë së bashku dhe të planifikojmë së bashku. Së pari na duhet të kemi ekipet kontrolli. Është thelbësore që vlerësimi i ndërtesave të kryhet me katër sy, dy shqiptarë dhe dy sy të miqve tanë, ka të bëjë me besimin dhe garancinë.

Ndërtesat janë në gjendje të shkatërruara por nuk janë të gjitha kështu. Ka që kanë plasaritje dhe çarje dhe këto mund të ndërtohen shpejt. Po kush ka besim të hyjë në një ndërtesë me fëmijët kur ka kaluar këtë lloj ankthi, duhet një vulë, një vendim. Shpresojmë se do ta bëjmë shpejt.

Ka vende këtu që janë përballuar me tërmete më të rënda se i joni. Ka njohuri të jashtëzakonshme aty dhe do të ishim shumë mirënjohës nëse do të kishim mbështjetje në kuptimin e njohurive, ku ta fillojmë, çfarë të bëjmë. Nëse rindërton diku tjetër apo në krah, çfarë do të bëhet me njerëzit në zonat rurale si në Krujë, Durrës, Laç, Lezhë dhe Tiranë. Janë të lidhur me tokën dhe bagëtitë, nuk mund tu themi as që shkoni në hotele. 

Duhet të sigurohemi që të gjithë të jenë në tenda si ato që sollën italianët. Standard shumë i bukur, terësisht të izoluara, nuk preken nga era, të ftohtit, lagështira, fantastike. Të gjithë duhet ta kenë këtë mundësi. Nëse secili prej jush përpiqet për këtë ne mund të bëjmë më të mirën”, ka thënë Rama.

Rama ka thënë se nesër të takohet me Komitetin Shqiptar të Rindërtimit dhe përsëriti ftesën për pjesëmarrjen e opozitës.

Problem i madh është financimi i gjithë operacionit, është si uragan që ka goditur jetën tonë të përditshme. Nesër do të takohem me Komitetin Shqiptar të Rindërtimit. Unë dëshiroj që opozita të bashkohet me, i kam ftuar dhe do ti ftoj sërish për të marrë idenë më të mirë. Nuk është fjala këtu kush është më inteligjenti.Do të kemi kohë kur e gjitha kjo të kalojë me ndihmën e Zotit që të zihemi kush është më i mencuri, më i miri. Tani është koha që të përballemi me sfidën si qënie njerëzore për të marrë vendime për më të mirën e vendit tonë. Shpresojmë të vijë, por edhe njëherë kemi nevojë për ju”, ka thënë Rama.

Duke falenderuar angazhimin e presidentit turk për Konferencën e Donatorëve, të njëjtin angazhim kërkoi edhe nga Perëndimi, por edhe Kina.

Presidenti Erdoan ka nisur procesin e angazhimit të vendeve të tjera të rajonit për Konferencën e Donatorëve, mendoj se Perëndimi duhet të bëjë të njëjtën gjë. Nuk do të kalojë, nuk do të ikë vetëm me një mekanizëm. Mekanizmi i BE është aty, por nuk është e mjaftueshme. Na duhet të mendojmë për një Konferencë Donatorësh për të gjitha shtetet, të BE por edhe jo të BE. Do të isha shumë  i lumtur edhe nëse Kina do të organizonte diçka me vende të tjera në komunitetin euroaziatik. Duhet tua kthejmë vendin njerëzve”, ka thënë Rama./oranews