Dy vëllezërit Abazi humbën jetën si pasojë e tërmetit në Shqipëri

Dy vëllezërit Abazi humbën jetën si pasojë e tërmetit në Shqipëri

Qeveria e Shqipërisë do të ndajë nga 1 milion lekë të reja familjeve të dy vëllezërve Abazi nga Kosova që humbën jetën në Durrës si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit. Kështu deklaroi kreu i Qeverisë së Shqipërisë, Edi Rama në mbledhjen e sotme.

“Projektvendimi që lidhet përsëri me përkrahjen sociale dhe financiar të familjeve të viktimave është projektvendimi që ka të bëjë me akordimin direkt të një përkrahje financiare prej 1 milion lekësh të reja për çdo familje dhe patjetër për përballimin e shpenzimeve të varrimit. Secila prej familjeve të vëllezërve Abazi nga Kosova do të marrë të njëjtën përkrahje financiare prej 1 milion lekësh të reja nga ky vendim i qeverisë së Republikës së Shqipërisë. Besoj që jemi dakord”, deklaroi Rama.

Dy vëllezërit nga fshati Livoç i komunës së Gjilanit Shemsedin dhe Isah Abazi humbën jetën pas shembjes së hotelit “Tropikal” në Durrës.

Isah Abazi ishte 29 vjeç, ai pas vetës la bashkëshorten dhe dy djem, ndërsa Shemsedin Abazi ishte 32 vjeç dhe la pas vetes bashkëshorten me 4 fëmijë, 3 djem dhe 1 vajzë.

Operacionet e kërkim-shpëtimit kanë përfunduar dhe numri i viktimave ka shkuar në 50.

Tërmeti i ditës së martë ishte me magnitudë 6.4 ballë dhe është pasur nga qindra tërmete të tjera.

Në prill të vitit 1979, një tërmet me magnitudë 6.9 ka goditur Shqipërinë dhe shtetin fqinj, Malin e Zi, duke lënë 136 persona të vdekur dhe më shumë se 1 mijë të lënduar./21Media