"Unë jam optimist për të ardhmen e vendit tim por..."

“Unë jam optimist për të ardhmen e vendit tim por…”

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama vijon të tregojë zbehjen e entuziazmit lidhur me hapjen e dritës jeshile për çeljen e negociatave me Bashkimin Evropian më 18 tetor.

Rama në një prononcim për mediumin irlandez, “Irish Times” tha se nuk ka shumëçka që të jesh optimist me atë që po ndodh sot në Evropë. “Unë jam optimist për të ardhmen e vendit tim por jo për atë që do të ndodhë javën tjetër”, tha ai.

Ndërsa Holanda, Danimarka dhe shtete të tjera duan që Shqipëria të bëjë më shumë për të luftuar grupet mafioze, Rama e pikturon vendin e tij si një viktimë e ndarjes brenda Bashkimit Evropian dhe debatit të drejtuar nga Franca për reformat që duhet të ndërmerren përpara zgjerimit të mëtejshëm.

“Kur shpërthen një bombë diku edhe kopshti goditet. Ne jemi kopshti”, shprehet Rama.

Edhe Franca është skeptike e zgjerimit ndersa vende të tjera që e mbështesin procesin ndihen të frustruara me sjelljen që po mbahet ndaj vendeve kandidate. Holanda thotë se nuk do të bllokojë vendimin me veto./oranews