Rama: Opozita në çadër nga frika e tmerrshme

Kryeministri tha se drejtësia na duhet për të rritur investimet

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama zhvilloi sot një takim me të rinjtë që votojnë për herë të parë në Kavajë, ku akuzoi opozitën se nuk bëri asgjë për Kavajën.

“Kavaja, e cila për çerek shekulli ishte djepi i demokracisë, u kthye në kazanin e tradhtisë pa asnjë mbështetje, rrugë, drita apo shpresë”, tha Rama.

Kryeministri Rama nënvizoi se opozita kërkon të rikthehet në Kavajë, jo në një garë për t’u gjykuar me votë nga populli i Kavajës, por duan të rikthehen për të bllokuar rrugën e Kavajës drejt së ardhmes.

Ai po ashtu pohoi se opozita është në çadër nga frika e tmerrshme e drejtësisë, për t’i dhënë fund grabitjes së pronave, goditjes së të drejtave të njerëzve të zakonshëm, trajtimit të qytetarëve pa dinjitet, kur shkojnë të kërkojnë të drejtën nëpër gjykata.

“Drejtësia na duhet për të bërë shtet, për të rritur investimet, punësimin, mirëqenien, sepse vërtet ne kemi rritur ekonominë e punësimin, por duhet më tepër dhe për këtë, duhet drejtësi, që garanton investitorët, investimet, pronat, kontratat, punonjësit. Se nuk ka rëndësi se si e ke emrin, a ke njerëz me pushtet që janë të njohur, apo kushërinj, ke apo s’ke lek për të marrë të drejtën tënde. E drejta nuk blihet as nuk shitet. E drejta është ajo që na bën të barabartë në një vend demokratik”, deklaroi kryeministri.

Më tej, kreu i qeverisë tha se të rinjve të cilët nuk do mund të bëhen pjesë e arsimit të lartë, iu është krijuar mundësia ti drejtohen arsimit profesional.

Back to top button