Rama: Dielli do të lindë sërish të nesërmen

Rama: Dielli do të lindë sërish të nesërmen

Kryeministri Edi Rama dha një mesazh lidhur me vendimin e Bashkimit Europian më 18 tetor, për çeljen e negociatave, duke paralajmëruar një ‘Jo’ të mundshme dhe për këtë tha se nuk varet nga ajo që ka bërë Shqipëria.

Ai deklaroi se Gjermania e cila udhëheq vendet e ‘Po-së’, ka zgjedhur një rrugë të ndryshme nga shumica e vendeve anëtare.

“Ajo ka vendosur disa kushte të cilat janë të arsyeshme për ne dhe jo të paarsyeshme për të afruar Francën dhe ato dy a tri vende nuk kanë dalë ende në një pozicion përfundimtar dhe siç është e mundur që të mos lëvizin nga pozicioni i tyre nuk është e krejt pamundur që të mos pranojnë një vendim kompromisi. Presidenti i Francës ka dalë me qëndrim për një reformim të thellë të unionit. Emanuel Macron nuk është i gatshëm të shtyjë më fortë negociatat e Ballkanit Perëndimor, pa shtyrë më parë reformimin e unionit. Kjo qasje e Francës është konceptualisht e shpërputhur nga qasja konsensuale që kryeson prirjen e “Po-së”, por kjo nuk është kundër Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në vetvete apo Ballkanit Perëndimor në përgjithësi”, u shpreh Rama.

Ai shtoi se megjithatë fjala e fundit nuk është thënë ende dhe përpjekjet intensive të këtyre ditëve deri në mbledhjen e fundit të unionit, synon një rezultat mes bisedimeve mes Gjermanisë dhe Francës.

Kreu i qeverisë shtoi se vendimet merren me konsensus mjafton që një vend të thotë ‘Jo’ për të rrëzuar gjithë ‘Po-të’.

“Përtej tërë spekulimeve në Shqipëri, vendimmarrja e 18 tetorit nuk ka asnjë lidhje me atë që kemi bërë ne për të merituar po-në. Kjo s’ka lidhje me Shqipërinë apo Maqedoninë, situata do ishte po njësoj për vendet e tjera. Situata ka të bëjë me atë që anëtarët e unionit duan të bëjnë mes vete”, deklaroi Rama.

Ai nënvizoi se Shqipëria ka arritur të bëjë më shumë se detyrat e shtëpisë, sepse me forcën e diplomacisë dhe falë marrëdhënieve të forta me Berlinin zyrtar është arritur të kapërcehet pengesa e fortë që u vendos në Berlinin zyrtar, “Bundestagu i tha ‘po’ Shqipërisë dhe Gjermania është avokati ynë i fortë”.

Kryeministri tha në mbyllje se, “Për pak ditë do të mësojmë përfundimin e këtij kapitulli të vështirë të përpjekjes sonë për tu bërë pjesë e BE, por cilido qoftë ai përfundim të nesërmen e mbledhjes së Këshillit të Europës, dielli do të lindë përsëri dhe dita do të jetë vazhdimi i natyrshëm i kësaj përpjekje historike për shtetbërjne europiane, drejt Europës që e duam për fëmijët tanë, jo për Berlinin, jo për Brukselin, jo për ne, por për Shqipërinë, shqiptarët dhe gjeneratat e tjera”./oranews