Rama: Për koalicion kundër tepsisë

Rama ka theksuar se nga e hëna do të mbajë një mbledhje me skuadrën e PS-së të dalë pas 25 qershorit

Kryeministri i Shqipërisë dhe kreu i PS-së, Edi Rama gjatë një postimi në Facebook ka theksuar se nga e hëna do të mbajë një mbledhje me skuadrën e PS-së të dalë pas 25 qershorit, deputetët e rinj dhe kandidatët për deputetë, për të vendosur piketat e qeverisjes për mandatin e dytë.

Rama deklaron se grupi i punës do të zhvillojnë një tur 30-ditor për të dëgjuar qytetarët për shqetësimet që kanë ndaj qeverisë dhe institucioneve, dhe në bazë të tyre do të hartohet raporti që do t’i shërbejnë operacionit të çuarjes së tepsisë për skrap.

Shkrimi i plotë i Ramës:

PER KOALICIONIN KUNDËR TEPSISË

Të hënën do të mblidhemi me deputetët e rinj dhe kandidatët për deputetë, pra me të gjithë skuadrën tonë të 25 qershorit, për nisjen e turit të dëgjesave në bazë të çdo qarku gjatë gjithë muajit korrik.

Një aspekt i rëndësishëm i këtij turi dëgjesash, do të jetë mbledhja e të dhënave për punën e zyrave të administratës shtetërore. Për këtë qëllim do të përdoret edhe mbledhja e informacionit online nga njerëzit e zakonshëm, lidhur me zyrat e shërbimeve për publikun dhe punonjësit e drejtuesit e tyre. Në këtë fazë ky informacion do të mblidhet përmes kësaj faqeje, apo faqeve online të udhëheqësve tanë në çdo qark. Ndërsa më pas, kur Platforma e Bashkëqeverisjes me njerëzit, SHQIPËRIA QË DUAM, të jetë gati bashkë me Qeverinë e Re, një seksion i veçantë i saj do t’i shërbejë posaçërisht çdo qytetari; për të tërhequr vëmendjen e qeverisë për punën e zyrave të shtetit në çdo pikë të vendit apo vënë alarmin në qeveri, për raste konkrete të abuzimit me detyrën ose sjelljes së padenjë të nëpunësve të shtetit me njerëzit.

Pas këtij turi 30 ditor, të gjitha të dhënat e mbledhura për institucionet dhe zyrat e shtetit, do të analizohen imtësisht qark për qark. Mbi bazën e tyre do të përgatitet një raport ku do pasqyrohet cilësia e punës, niveli i shërbimit dhe reputacionit publik të çdo dege të administratës shtetërore e të çdo drejtuesi përkatës. Ky raport do të jetë në tryezën e Qeverisë së Re që në ditën e parë të punës, si një nga dokumentat bazë që do t’i shërbejnë operacionit të çuarjes së tepsisë për skrap.

Back to top button