Rama: Po mundohemi t’i krijojmë mundësitë opozitës që të dalë nga kriza

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në një prononcim për mediat pas mbylljes së seancës së Kuvendit për raundin e parë për zgjedhjen e Presidentit të ri se koalicioni PS-LSI po bën një sforco vullnetmirë për për të krijuar një mundësi për opozitën me shpresën që do kthehet në rrugën e arsyes.

Rama komentoi letrën e PS-LSI në KQZ për shtyrjen e afatit të regjistrimit të partive dhe koalicioneve. Ai ripërsëriti se PS po tregohet e duruar dhe po i jep shans PD-së, teksa shtoi se edhe durimi e ka një kufi.

“Ata që bëjnë akuza janë të njëjtët, edhe në 1 Prill të 2013. Këtu bëhet fjalë për një sforco vullnet-mirë nga ana jonë për të krijuar mundësi për opozitën zyrtare, konretisht PD me shpresën që do kthehet në rrugën e arsyes dhe për t’i dhënë shans përpjekjes që me gjasë do ndodhë me këmbënguljen tonë me letrën për PPE nga kreu i Kuvendit, për një dialog që ne nuk arritëm me gjithë përpjekjet tona. Kështu që mos keni asnjë merak sepse nëse ata do të duan të shkojnë deri në fund me këtë sjellje kur ne përpiqemi me bukë, ata me gurë, do jetë deri në fund përgjegjësia e tyre. Ne nuk jemi të shqetësuar, do bëjmë çmos për zgjedhje gjithëpërfshirëse, por sigurisht që çdo përpjekje e ka një fund dhe patjetër që fundi do jetë momenti i regjistrimit të kandidatëve, të ekipeve që do të kandidojnë”, tha Rama.

Rama theksoi më tej se, “18 Qershori nuk diskutohet”, duke i qëndruar vendimit për të mos shtyrë zgjedhjet. Kryeministri foli edhe në lidhje me procesin e zgjedhjes së Presidentit. Rama tha se seanca e sotme, ku nuk u votua asnjë emër edhe pse votat janë, ishte shprehje e vullnetit të mirë për të bërë opozitën pjesë të procesit.

“Sot ishte tjetër shprehje e vullnetit tonë të mirë, janë numrat për zgjedhjen e Presidentit. Për t’i dhënë të gjitha hapësirën e mundshme brenda kornizës kushtetuese PD-së dhe atyre që bashkë me të janë ngujuar në çadrën e frikës nga drejtësia, nuk paraqitën një kandidat sepse duan që të krijojnë mudënsinë që të mund të gjejnë konsensus. Unë jam shumë i duruar sepse unë besoj tek durimi deri ku është kufiri. Sa i takon Presidentit ne duam t’i kthejmë dinjitetin. Duam t’i japim mundësinë të ngrihet mbi palët, dhe duam një figurë që të ketë paanshmëri, qoftë edhe relative, por të japë paanshmëri. Ne do presim. Më mirë një President i duhur dhe i pranuar nga sa më shumë se sa një President i zgjedhur në një sallë ku opozita duhet të vinte në punë dhe nuk vjen”, deklaroi ai.

Ndër të tjera Rama thumboi dhe ato parti që sipas tij interesohen që PD mos të hyjnë në zgjedhje, që në këtë rast të kapin ndonjë deputet më shumë.

“Mos u shqetësoni, lëri të shqetësohen ata që kanë arsye të shqetësohen, apo ata që mezi presin që mos të hyjë PD në zgjedhje që të kapin ndonjë deputet më shumë”, tha Rama.

Back to top button