Rama “kërcënon” BE-në: Po na u larguat, kam alternativa të tjera

Rama tha se presidenti amerikan është mbi Perëndinë në vendin tonë sa i përket popullaritetit

Pas zgjedhjeve të 25 qershorit, Kryeministri Rama, ka dhënë një intervistë për televizionin francez “France 24” ditën e sotme, ku ka folur për hapjen e negociatave me BE, për situatën aktuale në vend, por edhe për atë në Ballkan.

Kryeministri u shpreh se bisedimet me BE do të nisin këtë vit, por ai thotë se nuk do të habitej edhe nëse kjo gjë nuk do të ndodhte. “Ne nuk kemi tjetër alternativ përveç BE-së.

Presim që bisedimet të fillojnë këtë vit, por nuk do të çuditesha edhe nëse nuk do të ndodhte dhe jo për fajin tonë, por për situatën aktuale në BE. Në Ballkan jemi optimist. BE për ne është projekti më i besueshëm për paqen”, tha Rama. Në intervistën e dhënë, ai ka prekur edhe një sërë temash të tjera, si lufta kundër kanabisit apo edhe riciklimi i mbetjeve.

“Kemi pasur një kthesë këtë vit për situatën e kanabisit, kemi pasur një ulje dramatike. Unë kam besim që në fund të vitit ka për të qenë histori. Ekonomikisht mund të jemi të dobët, por jo se po vdesim urie, jemi si vendet e rajonit”, deklaroi ai. Sa i përket marrëdhënieve mes shteteve të Ballkanit, Rama u shpreh se po jetojmë kohën më të mirë.

“Për sa kohë që BE do të jetë objekti ynë, nuk është befasi që ne të rikujtojmë të shkuarën, por ne tani po jetojmë kohën më të mirë dhe kjo për shkak të BE-së. Nëse BE do të largohet ëndrra që kemi, atëherë do të shohim të tjera alternativa”, tha Kryeministri për “France 24”.

Ai u pyet edhe për marrëdhëniet me SHBA. Rama tha se presidenti amerikan është mbi Perëndinë në vendin tonë sa i përket popullaritetit”

“Kushdo të jetë presidenti i SHBA, do të jetë mbi Perëndinë për sa i përket popullaritetit. Ne kemi jetuar në komunizëm dhe SHBA ishte një mollë e ndaluar për ne, por tashmë gjërat kanë ndryshuar”, tha Rama.

Back to top button