Platforma për bashkëqeverisje me qytetarët

Platforma për bashkëqeverisje me qytetarët

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama prezantoi në detaje platformën se si do funksionojë bashkëqeverisja me qytetarët.

Mekanizmi fillon punën nga e hëna dhe përbëhet nga një personel prej 25-30 vetë, të cilët do të shqyrtojnë çdo ditë, sipas fushave e institucioneve përkatëse, problemet shqetësimet apo denoncimet për një shkelje korruptive e abuzive.

“Kush ka mik për të futur, s’ka nevojë të kërkojë lartë e poshtë ta gjejë tek cilido prej nesh. Kush do të fusë mik, mjafton të regjistrohet në këtë platformë dhe ka bërë mikun më të fortë sepse me një sms mund të vërë në lëvizje ministrin e fushës ku ka problemin. Dhe të jeni të sigurt që të gjithë anëtarët e qeverisë e kanë të qartë që ky është prioriteti i prioriteteve”, tha Rama.

Ky mekanizëm i ri, sipas kreut të qeverisë, do t’i shërbejë qytetarit, ndërsa do të pastrojë një herë e mirë zyrat e shtetit.

Platforma për bashkëqeverisjen me njerëzit e zakonshëm përbëhet nga 9 dritare të veçanta, secila në funksion të anëtarëve të tij, duke nisur nga dritarja e ankesave të qytetarëve, biznesit, shkollës, ku secili anëtar mund t’i vendosë një notë zyrës ku merr shërbimin, apo mund të kontribuojë me një projekt apo nismë.