Mbledhja e PS-së

Mbledhja e PS-së

Reforma zgjedhore, vendimi negativ i BE-së për negociatat dhe zgjedhjet brenda PS-së kanë qenë në fokus të mbledhjes 2 orëshe të Kryesisë së socialistëve të thirrur nga Rama. Në mbyllje të saj Rama tha se reformën zgjedhore do ta bëjnë me ata që duan të marrin pjesë në të, duke nënkuptuar se socialistët do të vazhdojnë me këtë proces dhe pa PD-në.

“Reformën zgjedhore do ta bëjmë me gjithë ata që duan të marrin pjesë në proces dhe do ta votojmë në parlament. Në parlament në dijeninë time ka një opozitë që është e përfshirë në komisionin e reformës zgjedhore ku ka një karrige bosh dhe për miqtë tanë të opozitës jashtëparlamentare dhe është në të drejtën e tyre të ulen ose jo në atë karrige. Por ne nuk do të presim dhe brenda këtij viti do të miratojmë reformën zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE-ODIHR.”, tha ai.

I pyetur sesi do të bindin opozitën parlamentare e cila kërkon ndryshim të sistemit, Rama pati këtë përgjigje.

Ne do të vazhdojmë procesin dhe me ata që do të binden do të votojmë reformën zgjedhore.”, u përgjigj Rama.

Në mbledhje është diskutuar dhe për zgjedhjet brenda partisë ku është miratuar kërkesa e grave socialiste për të qenë bashkëkryetare në të gjitha organizatat e kësaj partie.

“Jemi në një proces zgjedhor brenda partisë. Sot kemi parë ecurinë e procesit dhe kemi dakordësuar propozimin e grave anëtare të kryesisë së partisë dhe deputete e ministre që të nisim procesin e përfshirjes së grave dhe vajzave si bashkëkryetare të organizatës socialiste. Është një proces që përbën domosdoshmëri.  Unë dhe të tjerët në këtë Kryesi mbrojmë bindjen se kur duhet bërë muhabet bëhet me burra, kur duhet bërë punë më mirë bëhet me gratë. Do ta çojmë përpara këtë proces.”, tha ai./oranews