Rama së shpejti do të takohet me homologun grek

Rama tha se marrëdhëniet mes dy vendeve janë historike dhe tradicionale

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama shumë shpejt do të takohet me homologun grek, Aleksis Tsipras. Lajmin e bëri të ditur vetë shefi i ekzekutivit shqiptar, në një inrtervistë për agjencinë greke të lajmeve amna.gr.

Rama tha se së shpejti do të takohet me Tsipras për të zgjidhur çështjet e hapura mes dy vendeve. I pyetur nëse ishte planifikuar një takim mes tij dhe Kryeministrit grek, Rama u përgjigj: “Ne nuk e dimë se ku, në Tiranë apo në Athinë, por presim të takohemi së shpejti”.

“Unë mendoj se ne jemi shumë afër zgjidhjes së gjithë kësaj dhe kjo do të ishte e mrekullueshme”, shtoi Rama.

Kryeministri i Shqipërisë përshkroi marrëdhënien e fqinjësisë mes Greqisë dhe Shqipërisë si “historike dhe tradicionale”.

“Kjo është një marrëdhënie historike dhe tradicionale e fqinjësisë dhe si gjithmonë ndodh me fqinjët, ata nuk shkojnë gjithmonë. Ne e dimë këtë nga fqinjët tonë, me çdo fqinj, qofshin në fshat ose në qytet, ose midis vendeve , është gjithmonë e njëjtë”, tha më tej kreu i Qeverisë së Shqipërisë./oranews

Back to top button