Rama: Dy ditët më të rëndësishme të kalendarit, 28-29 nuk mund të jenë ditë me përmbajtje festive

Rama: Dy ditët më të rëndësishme të kalendarit, 28-29 nuk mund të jenë ditë me përmbajtje festive

Sot qeveria miraton vendimin për ditën e zisë kombëtare. Në mbledhjen e hapur të qeverisë, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama shpjegoi se do të dëshironte që të kishte 3 ditë zie, por për shkak të festave kjo, tha Rama, e pamundëson.

Ai tha se 28-29 nëntorin nuk do të jenë ditë feste, por ditë solidariteti për viktimat e tërmetit.

 “Sot qeveria do të miratojë vendimin për ditën e zisë kombëtare. Këtu dua të shpjegoj se kjo ditë duke qenë se pararend dy ditëve të festave kombëtare e ka bërë të pamundur që të ishte më shumë sesa një ditë zie, sepse do të kishim dashur të ishte 3 ditë zie. Na ka pamundësuar që të imagjinojmë flamurin shqiptar në gjysmë shtizë në 28 dhe 29 nëntorit ashtu sikundër është një normë e afirmuar se asnjëherë në ditët kombëtare të vendeve nuk mund të ketë zi. Sepse janë ditë që kanë brenda një kujtim të jetëve të dhëna për atdheun.

Dy ditët më të rëndësishme të kalendarit, 28-29 nuk mund të jenë ditë me përmbajtje festive. Por me gjithë solemnitetin e nevojshëm dhe domosdoshmërinë për të mos e shkëputur vëmendjen nga situata akute. Mendoj të shihen si dy ditë solidariteti kombëtar, ku respekti për të shkuarën që ato mishërojnë të njehsohet me kontributin e gjithkujt që mund të ndihmojë”, ka thënë Edi Rama./oranews