Rama: S’ka makroshengen shqiptar pa minishengen ballkanik

Kurti nuk tregon se a do të marrë pjesë në takimin e ardhshëm për minishengen

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, sot në konferencën e përbashkët me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti deklaroi se do të vazhdojnë të flasim për të harmonizuar veprimet dhe hapat për hapjen e katër lirive të Bashkimit Evropian.

Ai deklaroi se bashkëpunimi me Kosovën mbetet prioritet i prioriteteve. “Për mua nëse nuk realizojmë lëvizjen e plotë të njerëzve dhe te mallrave e shërbime nuk e kemi kryer detyrën e plotë ndaj njerëzve tanë”, tha ai.

Ai u shpreh i gatshëm për të hapur kufirin në mes të Kosovës dhe Shqipërisë. Ndërsa përmendi se janë në mbështetje të afrimit të Kosovës si një shtet i pavarur në të gjitha instancat dhe në të gjitha institucionet.

Ndërsa, Kurti premtoi se bashkëpunimi Kosovë – Shqipëri do të jetë si kurrë me parë. Ai bëri të ditur se së shpejti do të formohet një komision ndërshtetëror i përbërë edhe nga ministra edhe nga deputetë që ato 77 marrëveshje të zbatohen dhe të shtohen edhe tjera.

Kurti tha se në veçanti duan që të bashkëpunojnë në aspektin e prodhimtarisë, sigurisë dhe politikës së jashtme dhe fushën e arsimit. Ai u shpreh i bindur se do ta dëshmojnë se do të avancojnë bashkëpunimin ndërshtetëror.

Ndërsa, kur u pyet se a do të shkojë në takimin e ardhshëm të liderëve të Ballkanit për Shengenin Ballkanik, Kurti tha ky ishte takimi i parë ka edhe shumë tema që do t’i trajtojnë “këtë teme e trajtuam shkurtimisht, më shumë për makroshengeni shqiptar sesa për minshengeni ballkanik”.

Megjithatë, Rama beson se nuk ka makroshengen shqiptar pa minishengenin ballkanik. Ai u shpreh se makroshengeni shqiptar është i lidhur ngushtë shengenin rajonal.

“Në këtë pikë ne kemi një diskutim për të çuar përpara besoj s’ka makroshengen shqiptar pa minishengen ballkanik…”, tha ai.

“Për të pasur hapësirë të përbashkët ndërmjet dy shteteve, për të pasur lëvizje të lirë mes nesh , jo vetëm të mallrave por edhe të njerëzve çka deri dje ishte e paimagjinueshme për shkak të rezistencës, jo vetëm të Serbisë por edhe të gjitha vendeve të tjera. Sot është vetëm në dorën tonë, dua të theme plotë gojën se këtë rezistencë unë e kam thyer. Dhe sot na takon vetëm neve që ta çojmë përpara këtë proces sepse askush nuk na thotë as Serbia që po bëjmë Shqipërinë e madhe nëse heqim kufirin. Për këtë arsye kam diskutuar me kryeministrin, që të fillojmë menjëherë nga puna me të gjitha agjencitë që garantojnë aspektet e sigurisë, sipas modelit të shengenit, po ashtu me të gjitha agjencitë e tjera që duhet të çlirojnë tregtinë nga barrierat e panumërta që janë mes nesh”, tha ai.

Rama pranoi se kanë nevojë për një shpejtësi të re./21Media

Back to top button