Ndërrimi i komandës së shefit të Shtabit të Forcave të Përbashkëta

Ndërrimi i komandës së shefit të Shtabit të Forcave të Përbashkëta

Komandanti i Forcës së Sigurisë të Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama, me ftesë të Departamentit të Mbrojtjes të SHBA-ve, dje për herë të parë mori pjesë në ceremoninë e ndërrimit të komandës së shefit të Shtabit të Forcave të Përbashkëta. Kjo ceremoni është mbajtur në bazën e përbashkët të ushtrisë amerikane “Myer-Henderson Hall” në Washington.

FSK njoftoi se Rama e uroi gjeneralin Milley, të cilit i dëshiroi suksese në mandatin e tij 4-vjeçar dhe i shprehu mirënjohje të thellë për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-ve në zhvillimin dhe profesionalizimin e FSK-së.

Pozita e shefit të Shtabit të Forcave të Përbashkëta konsiderohet pozita me e lartë në strukturën e ushtrisë amerikane, ku gjeneral Mark Milley do të jetë këshilltari më i lartë i presidentit të SHBA-ve, sekretarit të Mbrojtjes dhe i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, për çështje që ndërlidhen me sigurinë kombëtare të SHBA-ve.

Gjenerali Mark A. Milley është emëruar shefi i 20-të i Shtabit të Forcave të Përbashkëta, duke e zëvendësuar gjeneralin Joseph Dunford,  i cili për 4 vjet ka qëndruar në këtë pozicion mjaft të rëndësishëm./21Media