Lladrovci i ftuar në cilësinë e dëshmitarit

Lladrovci i ftuar në cilësinë e dëshmitarit

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, pritet të paraqitet sot para Gjykatës Speciale. Ditë më parë ai ishte ftuar në Hagë në cilësinë e dëshmitarit. Vetë Lladrovci kishte thënë se dëshminë e tij do ta japë më 19 nëntor.

“Valës së ftesave, nga Dhomat e specializuara, iu bashkova edhe unë, në cilësi të dëshmitarit. Nuk kam informata as dijeni më shumë se sa shkruan në ftesë. Data e dhënies së dëshmisë është më 19 nëntor 2019. Kurrë në jetë, as kam pasur hamendje as kam dilemë për drejtësinë e luftës tonë çlirimtare, rrugën e ndjekur deri në çlirim dhe për pastërtinë e saj shembullore. Përjetësisht krenar me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës!”, kishte shkruar Lladrovci në Facebook.

Gjykata Speciale është përgjegjëse për hetimin e krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe krimeve tjera penale në lidhje me akuzat nga Raporti i Këshillit të Evropës i vitit 2011, ku flitet për krimet e pretenduara se i kanë bërë pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në periudhën prej vitit 1998 e deri në vitin 2000./21Media