Kryeministri ka shprehur gatishmërinë për mbështetjen në projektet e organizatës

Kryeministri ka shprehur gatishmërinë për mbështetjen në projektet e organizatës

Në shenjë falënderimi për punën e madhe humanitare, si një vlerë komplementare dhe për kontributin në të gjitha proceset deri në liri, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj nderoi sot me dekoratën e kryeheroit Gjergj Kastrioti Skënderbeu, humanistin dhe themeluesit e shoqatës bamirëse “Jetimat e Ballkanit”, Halil Kastratin.

Gjatë takimit me humanistin Kastrati, kryeministri ka shprehur gatishmërinë për mbështetjen në projektet e organizatës.

“Shpreha gatishmërinë e Qeverisë së vendit për mbështetjen në projektet e kësaj organizate, me theks të veçantë mbështetjen për ndërtimin e një jetimoreje për fëmijët e braktisur”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Me këtë rast, Haradinaj tha se veprimet humane janë përcaktim dhe e drejtë e gjithsecilit dhe meritojnë respekt.

Nga ana e tij, Kastrati falënderoi përzemërsisht kryeministrin, duke i thënë se krejt puna dhe aktiviteti që bënë “Jetimat e Ballkanit”, është meritë e gjithë shqiptarëve.

E falënderuam kryeministrin dhe i treguam se krejt puna dhe aktiviteti jonë është mërit e Shqiptarëve kudo që janë, andaj edhe këtë Medalje ja dedikojmë të gjithë shqiptarëve. Faleminderit kryeministër për nderin dhe respektin. Faleminderit shqiptarë për besimin dhe kontributin”, ka shkruar Kastrati.

Shoqata “Jetimat e Ballkanit” e Halil Kastratit ka bërë me shtëpi e banesa qindra familje në Kosovë e më gjërë./21Media