Raportet e ardhshme mes SHBA-ve dhe Kinës të paqarta

Konfirmohet takimi Trump-Xi

Shtetet e Bashkuara kanë konfirmuar se presidenti amerikan, Donald Trump, do të takohet me presidentin e Kinës, Xi Jinping, në pushimoren e tij Mar-a-Lago në Floridë.

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se takimi i parë ndërmjet dy presidentëve, do të bëhet më 6 dhe 7 prill, duke i konfirmuar njoftimet që më herët i kishte bërë Ministria e jashtme e Kinës.

Presidenti amerikan, Donald Trump parashikon që bisedimet e ardhshme me kolegun e tij kinez Xi Jinping do të jenë “shumë të vështira”, duke paralajmëruar një qëndrim antagonist në prag të samitit të dy liderëve, i cili po tërheqë publicitet të madh, transmeton rtv21.tv

Agjencia France Press vlerëson se komenti i Trump duket se paraqet kthimin e qasjes së fortë të presidentit amerikan, i cili pas zgjedhjes si president kishte kritikuar ashpër Kinën para se të zbuste retorikën.

Raportet e ardhshme të dy ekonomive më të mëdha në botë janë të paqarta, pas inaugurimit të Donald Trumpit, më 20 janar në Shtëpinë e Bardhë.

Gjatë fushatës zgjedhore, Trump e pat akuzuar Pekinin për politika jokorrekte tregtare dhe e ka kritikuar ndërtimin e një ishulli në Detin Jugor Kinez.

Ndërkohë, duke folur për testet bërthamore të Koresë së Veriut, ambasadorja e SHBA-ve në Kombet e Bashkuara, Niki Hejlli , tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk mund të ndryshojnë mënyrën se si Koreja e Veriut mendon, por se Kina mundet, gjë e cila duhet të jetë tema kryesore e takimit  të Trumpi me presidentin e Kinës Xi Jinping./21Media

Back to top button