Raporti i auditorit për Doganën e Kosovës

Sipas auditorit Drejtoria e Doganës së Kosovës, në vitin 2016 kishte bërë pagesa të dyfishta dhe me gabime në disa rate të aktvendimeve në disa lëndë

Zyra Kombëtare të Auditimit, ka parë si rrezik se kontrollet jo efektive gjatë vlerësimit të importeve si dhe ekzekutimi i pagesave të dyfishta nga bankat komerciale, kanë rezultuar me një numër të konsiderueshëm të ankesave nga subjektet ankimore. Auditori thotë se këto kanë për pasojë mos inkasimin e duhur të të hyrave dhe njëkohësisht edhe humbjen e kredibilitetit të institucionit.

Sipas auditorit, gjatë vitit 2016 numri i aktvendimeve lidhur me kthimin e mjeteve nga taksat doganore ishte 283 lëndë dhe në vlerë totale prej 858,726 euro. Këto aktvendime janë kryer nga degët dhe sektorët e ndryshëm të DK-së, të cilat ishin rezultat i parashtrimit të kërkesave nga subjektet ankimore lidhur me taksat e ngarkuara nga DK-ja. Prej tyre, 84 lëndë në vlerë prej 675,435 euro, janë për kthimet nga bankat komerciale, të cilat ndodhin për shkak të gabimeve në transfer nga bankat komerciale apo pagesave të dyfishta si dhe 106 lëndë në vlerë prej 183,291 euro nga sektori për rishikim të vendimeve.

“Kontrollet jo efektive gjatë vlerësimit të importeve si dhe ekzekutimi i pagesave të dyfishta nga bankat komerciale, kanë rezultuar me një numër të konsiderueshëm të ankesave nga subjektet ankimore. Këto kanë për pasojë mos inkasimin e duhur të të hyrave dhe njëkohësisht edhe humbjen e kredibilitetit të institucionit”, thuhet në raportin e auditorit.

Auditori po ashtu ka gjetur se dogana nuk ka zbatuar ligjin në një rast kur një subjekt, i cili përkundër që kishte borxhe ndaj doganës, kjo e fundit e ka lajuar të vazhdojë veprimtarinë.

“Mos respektimi i ndalesave për kryerjen e procedurave import–eksporte. Drejtori i DK-së konform kompetencës ligjore të deleguar nga Drejtori i ATK-së me nr. ZDP-14/2014, për subjektet të cilat janë aktive dhe kanë obligime të taksës së doganës dhe TVSH-së, duhet të merr vendim që të ju ndalohet zhvillimi i procedurave eksport-importe. Ndaj një subjektit ishte lëshuar aktvendimi, sipas të cilit ishte obliguar që në afat prej dhjetë ditësh të paguaj obligimin prej 489,762 euro, ose të bëjë programim të borxhit, në të kundërtën do t’i ndalohet zhvillimi i procedurave eksport import. Auditimi ynë shpalosi se edhe pse ky subjekt nuk kishte kryer obligimet dhe nuk kishte bërë marrëveshje për ri-programim të borxhit, kishte realizuar eksporte-importe gjatë gjithë vitit 2016”, thuhet në raportin e auditorit.

Kjo e fundit e sheh si rrezik mos ndërmarrja e veprimeve konkrete për ndalimin e zhvillimit të procedurave eksport-importe, ndikon në pamundësinë e inkasimit të të arkëtueshmëve si dhe në trajtimin jo të barabartë në raport me subjektet tjera, ndaj të cilave është pezulluar e drejta për eksport-importe./21Media

Back to top button