​Skuadra nga Kanada ka fituar më lehtë sesa që pritej

​Skuadra nga Kanada ka fituar më lehtë sesa që pritej

Kur kanë mbetur edhe katër ndeshje për t’u zhvilluar deri në përfundim të sezonit të rregullt në NBA, skuadra e Toronto Raptors është shumë afër ta sigurojë vendin e parë në Konferencën e Lindjes.

Kjo edhe për faktin që mbrëmë e fitoi duelin direkt me ndjekësin e parë Boston Celtics, të cilin e mundi me rezultat të thellë 96:78.

DeMar DeRozan me 16 pikë dhe Serge Ibaka me 15 ishin dy basketbollistët më efikas të Raptors, kurse për mysafirët nga Boston që vazhdojnë të luajnë pa yllin kryesor, Kyrie Irving, u dallua Marcus Morris me 21 pikë.

Sfida mes Los Angeles Lakers dhe San Antonio Spurs u vendos vetëm pas kohës shtesë.

Ishte skuadra nga Kaliforina ajo e cila në fund iu gëzua fitores me rezultat 122:112. Në sfidën e luajtur në Staples Center, ishte Kyle Kuzma me 30 pikë të realizuara basketbollisti më efikas i ndeshjes, kurse LaMarcus Aldridge me 28 pikë u mundua ta mbante në lojë San Antonion.

Fitore edhe për Philadelphia 76ers, që triumfuan 115:108 ndaj Detroit Pistons në udhëtim.

Sixers sigurojnë vendin e katërt në Lindje dhe kërcënojnë Cleveland Cavaliers për pozicionin e tretë. Spikati për Philadephian, JJ Reddick me 25 pikë, duke e bërë të pavlefshme paraqitjen e Tolliver, që shënoi po 25 pikë për Pistons.