Rastet e dhunës në familje në rritje, shkaktarë: varfëria dhe papunësia

Sipas Berishës, dhuna në familjet kosovare është mjaft e shprehur, ndërsa pak po bëhet për parandalimin e saj

Gushti i vitit që lamë pas ishte i kobshëm për familjen Ndrecaj nga Gjakova. Valbona Marku-Nrecaj së bashku me vajzën e saj 9 vjeçare u vranë nga bashkëshorti, respektivisht babai, Pjetër Ndrecaj.

Për vrasje të dyfishtë dorasi u dënua nga Gjykata Themelore e Gjakovës me vetëm 24 vjet heqje lirie. Ky dënim po konsiderohet i ulët dhe për më tepër shtytës që burrat të ushtrojnë më shumë dhunë ndaj grave.

Këtë fat përveç Valbona Nrecajt e kanë pasur edhe shumë gra kosovare. Nga janari deri në shtator të vitit 2018 janë evidentuar rreth 1129 raste të dhunës në familje, kurse jetën e kanë humbur 8 persona.

Kështu ka bërë të ditur për Kp, Tahire Haxholli, udhëheqëse e Njësisë për Hetime rreth Dhunës në Familje në kuadër të Policisë. Ajo ka thënë se në vitin 2018 kanë parë më shumë raste të dhunës në familje, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2017.

“Në Policinë e Kosovës në nëntë mujorin e këtij viti janë raportuar 1129 raste të dhunës në familje, prej tyre 921 kanë qenë viktima gra, ndërsa numri tjetër viktima meshkuj, mirëpo edhe tek meshkujt që kanë qenë viktima nuk kanë qenë viktima që kanë përjetuar dhunë në lidhje bashkëshortore nga gruaja, prej tyre kanë qenë 10-12 raste një numër shumë i ulët simbolik, ndërsa kanë qenë viktima në lidhje vëllai me vëllanë, baba me djalë domethënë gjinia e njëjtë. Kryesisht këto raste janë raportuar edhe në rrafshin social edhe në gjendje ekonomike më të ulët po ashtu në gjendjen më të ulët të arsimit , ndërsa mosha më e prekur e këtyre rasteve në familje si nga viktima edhe nga kryesi janë kryesisht nga mosha 25, 27 vjeçe deri në 45 vjeçare, kryesisht kjo moshë është e prekur më shumë nga dhuna në familje, ka thënë Haxholli.

Ndërsa, zëvendësministri i Drejtësisë, Naim Qelaj, njëherit Koordinator Nacional Kundër Dhunës në Familje, duke i konsideruar si shqetësuese përmasat e dhunës ka thënë se sensibilizimi dhe shtimi i besimit ndaj institucioneve të vendit ka ndikuar që dhuna të raportohet më shumë. Qelaj ka thënë se në vitin 2019 sfidë mbetet krijimi i institucioneve për trajtimin e viktimave dhe kryesve të dhunës.

Sipas aktivistes së “Rrjetit të Grupit të Grave në Kosovë“, Adelina Berishës dhuna në familjet kosovare është mjaft e shprehur, ndërsa pak po bëhet për parandalimin e saj. Shqetësuese ajo i ka konsideruar edhe dënimet e ulëta për kryesit e dhunës, pasi sipas saj kjo mund t’i shtyjë burrat të ushtrojnë më shumë dhunë ndaj grave.

“Mundet me qenë një prej mesazheve se dhuna tek ne tolerohet dhe se nuk ndëshkohet, dhe se jetët e grave nuk janë aq të rëndësishme prandaj kjo mundet edhe me ndikua që burrat me vazhdua me ushtua dhunën dhe me e pa se humbja e jetës së një gruaje nuk është aq çështje  e rëndësishme dhe relevante dhe e dënueshme, marr parasysh edhe këto dënimet e ulëta, prandaj edhe do të duhej që vëmendja të jetë tek ngritja e dënimeve që ta përcjellim edhe këtë mesazh se dhuna në familje nuk tolerohet, toleranca zero për dhunën”, ka thënë Berisha.

Ajo ka treguar se Rrjeti i Grave të Kosovës ofron edhe avokatë për gratë ndaj të cilave është ushtruar dhunë.

Kurse, kryetari i KMDLNJ-së, Behxhet Shala dhunën në familje e ka konsideruar si krim, i cili është produkt i mentalitetit patriarkal. Sipas tij, kjo dukuri po bëhet më problematike, pasi nënat po vendosin që përkundër dhunës së ushtruar ndaj tyre, të mos e raportojnë atë për shkak të fëmijëve.

Ndërsa,  sociologu Besim Gollopeni, duke i treguar faktorët kryesorë që po ndikojnë  në numrin e madh të rasteve të dhunës në familje ka thënë se institucionet duhet të merren urgjent me trajtimin e saj.

Bazuar në statistikat policore, në vitet e fundit ka pasur luhatje të numrit të rasteve të raportuara për dhunë në familje. Në vitin 2017 ishin evidentuar 1196, për vitin 2016 ishin raportuar gjithsej 1225 raste, në vitin 2015 ishin raportuar 1038 raste, në vitin 2014, 1179 raste, ndërkaq në vitin 2013 ishin raportuar 1087 raste.

Back to top button