Lënda për vdekjen e Astrit Deharit javën e ardhshme do të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës

Lënda për vdekjen e Astrit Deharit javën e ardhshme do të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës

Këtë e ka bërë të ditur ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri në seancën e Kuvendit, kur është pyetur nga deputeti i VV-së, Sami Kurteshi, se në cilën fazë është ky proces.

“Pyetja ime ka të bëjë, që nga data 16 mars 2018 kur ju keni informuar Kuvendin, Qeveria dhe Prokuroria kompetente, as avokati as familja, por as Kuvendi nuk ka pranuar njoftim se çfarë është ndërmarr deri tash dhe çfarë do të ndërmerret në të ardhmen. Në cilën fazë janë hetimet?”, pyeti Kurteshi.

Ndërsa, në përgjigjen e tij, ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri, tha se vonesat kanë ndodhur si pasojë e lëndës voluminoze, meqë kanë qenë rreth 3 mijë faqe për përkthim.

“Unë iu informoj që këtë javë ka përfunduar përkthimi i lëndës komplet. Ka qenë lëndë voluminoze me një material rreth 3 mijë faqe. Jam informuar nga prokuroria e shtetit që javën që do të vijë nga e hëna e tutje lënda do të dërgohet përmes atasheut policor të ambasadës së Zvicrës që është në Republikën e Kosovës drejtë institutit në fjalë. Pra Ministria e Drejtësisë nuk është ndërlidhëse në këtë rast, por është prokurori i rastit përmes Prokurorisë së Shtetit”, tha Tahiri.