Në xhaminë “Sinan Pasha” në Prizren, është kryer “lutja e fitores”

Në xhaminë “Sinan Pasha” në Prizren, është kryer “lutja e fitores”

Organizimi i “lutjes së fitores” në mbështetje të Forcave të Armatosura të Turqisë kundër kurdëve nga Bashkësia Islame e Kosovës, nga deputeti Milaim Zeka dhe deputetja Time Kadrija po shihen si rast i parë në botë që në ndonjë xhami apo kishë të mbahet një ritual në mbështetje të luftës së ushtarëve kundër një vendi tjetër dhe veprime të pa pranueshme që duhet dënuar. Ndërsa nga deputeti turk Fikrim Damka po shihet si normale .

Në organizim të Bashkësisë Islame të Kosovës dhe Kryesisë së Çështjeve Fetare të Republikës së Turqisë (Diyanet), në xhaminë “Sinan Pasha” në Prizren, është kryer “lutja e fitores” në mbështetje të Forcave të Armatosura të Turqisë, të cilët kanë nisur operacionin “Dega e Ullirit”, kundër pozicioneve kurdë në rajonin Afrin të Sirisë.

Në këtë lutje, ishte edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Partia Demokratike Turke e Kosovës (KDTP) Fikrim Damka, i cili tha për kp, se lutja që është kryer për ushtarët turq nuk paraqet asnjë problem , madje thotë se si ka mundësi të ndodhë që të bëhet aq e madhe një lutje që është shumë personale.

“Së pari nuk kam për çka të jap arsyetim pse kam marrë pjesë. Po pas një namazi jacis, Bashkësia Islame dhe Bashkësia Islame Turke në Kosovë e kanë organizuar një lutje. Lutje për ushtarët e Turqisë të cilët tash po marrin pjesë në një luftë paqësore që është në Siri. Krejt ky ka qenë t’i lutemi Zotit të ndihmon ushtarët të cilët janë në Siri. Se ata aty kanë shkuar t’i ndihmojnë civilët edhe kurdëve, edhe arabëve në Siri të pastrojnë prej terroristëve kurd…Kurdët janë terroristë të cilët veç njihen edhe në botë, jo që unë po e them, por edhe bota, edhe NATO-ja i konsideron që janë terroristë, është absolutisht normal. Nuk e di kush ka qenë përfaqësues i BIK-ut po imamët kanë qenë. Unë nuk e di pse njerëzit aq i pengon një lutje, në fund të fundit na lusim Zotin për ushtarët, edhe pse njerëzit aq të madhe e kanë bërë këtë lutje nuk e di. Kujt i pengon një lutje ose kush mundet mu përzi për lutjen time sepse kjo është personal”, tha Damka.

Deputeti i Nismës për Kosovën, Milaim Zeka, tha se është shokuar kur ka parë lajmin e lutjes në xhamin e Prizrenit për ushtarët e Turqisë, të cilët janë duke luftuar kundër kurdëve në Siri. Ai thotë se nuk ka parë dhe dëgjuar diku në botë të ketë ndodhur që në ndonjë kishë apo xhamin të lutet dikush për intervenimin e NATO-së në Kosovë kundër Sllobodan Milloshoviqit.

“Personalisht si deputet dhe si qytetar i këtij vendit jam shoku me lajmin që e ka bërë atë ritual fetar që është mbajt në xhamin e Prizrenit në mbështetje të ushtarëve turq, kundër kurdëve në Siri. Jam tmerrua sepse është rasti i parë në botë që në ndonjë kish pse në ndonjë xhami është mbajt një ritual me mbështet luftën e ushtarëve kundër një vendi tjetër … Kjo në radhë të parë duhet me qenë një vërejtje serioze ndaj BIK-ut që duhet me marrë ata përgjegjësin për një gjë të tillë. Është vërtet për mua shumë e turpshme dhe nuk do të duhej të ndodhte as në xhami në Turqi një gjë e tillë e lëre më në Kosovë“, tha Zeka.

Deputetja nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrija, ka thënë se këto çështje janë të rregulluara me ligj dhe se sipas saj çdo veprim nxitje apo pjesëmarrjeje në luftëra të huaja qytetarët e Kosovës dënohen me ligj.

“Kosova ka miratuar një ligj për mos pjesëmarrje të qytetarëve të Kosovës në luftëra jashtë Kosovës, madje ato sanksionohen me ligj. Ata që marrin pjesë direkt në këto lufta ose nxitje së pari është dashur të deklarohet Bashkësia Islame dhe me u distancar prej atyre, këto janë veprime të pa pranueshme dhe duhen të dënohen”, tha Kadrija.

Ndërsa, anëtar të Bashkësisë Islame të Kosovës, përkundër insistimi që të marrim një qëndrim rreth “Lutjes së fitores”, që është kryer pas namazit të jacisë me leximin e sures El-Feth’, nuk kanë pranuar të flasin.

Kurse, Qeveria nëpërmjet një përgjigje ka thënë se është e përkushtuar për paqen dhe stabilitetin kudo në botë dhe kundër çdo nxitjeje të urrejtjes dhe përfshirjes së shtetasve të Kosovës, në konfliktet jashtë vendit.