Rasti i “gylenistëve” do t’i shkojë Prokurorisë së Shtetit

Sipas Sveçlës, debimi i turqëve është bërë me dije të shtetit

Xhelal Sveçla nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Driton Selmanaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës sot kanë mbajtur një konferencë për media në lidhje me dëbimin nga Kosova të 6 shtetasve turq, të cilësuar si “gylenistë” nga shteti i tyre amë.

Sipas tyre, për shkeljet që janë bërë me rastin e dëbimit të tyre, do t’i drejtohen Prokurorisë së Shtetit dhe se sot do ta dorëzojnë raportin në Prokurori.

“Me 29 mars 2018, AKI-ja dhe Policia bënë shkelje të ligjeve e Kushtetutës së Kosovës. Komisioni ka gjetur shkelje në çdo fazë të dëbimit që nga revokimi i leje qëndrimeve e deri të dëbimi. Kemi gjetur 31 shkelje”, ka thënë Sveçla.

Ndër të tjera, Sveçla ka shtuar se dëbimi i tyre ka qenë me dije të shtetit.

“Fakti që 6 turqit nuk ishin terroristë, shtrohet pyetja se përse janë dëbuar dhe pse me kaq urgjencë? Dëbimi pa kurrfarë urdhri të ligjshëm nuk ka qenë aksidental, por me dije të shtetit”, ka shtuar ai.

Driton Selmanaj ka thënë se kanë pasur vështirësi në kryerjen e këtij procesi, pasi që, sipas tij, “sidomos deputetët e PDK-së nuk vinin për t’i mbajtur mbledhjet”.

“Pastaj, edhe zyrtarët e shtetit, të cilët i kemi ftuar për raportim. Nuk janë dorëzuar materialet e nevojshme. Për fatin e keq nuk gjetëm as te administrata e Kuvendit përkrahje, pasi kërkuam edhe një muaj shtesë. Për fatin e keq, sekretari i Kuvendit dhe pjesa tjetër e administratës janë vëne në shërbim të Kadri Veselit e njerëzve të tij”, ka thënë Selmanaj.

Përveç dorëzimit të raportit në Prokurori, Selmanaj ka thënë se janë duke diskutuar që këtë rast ta dërgojnë dhe në Kushtetutë. “Jemi duke diskutuar për ta dërguar edhe në Kushtetuese, si dhe në kontest civil”, tha Driton Selmanaj.

Selmanaj ka thënë se bartësit e institucioneve kanë përgjegjësi për këtë proces. “Së paku dy persona kanë dhënë deklarata kontradiktore. Është një raport voluminoz prej 70 faqesh dhe do të bëhet publik”, është shprehur ai.

Ndryshe në muajin mars të vitit 2018, 6 shtetas turq ishin arrestuar në Kosovë dhe pastaj ishin deportuar në Turqi. Për shkak të deportimit të tyre në Turqi, kanë dhënë dorëheqje ish-ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj dhe shefi i AKI-së, Driton Gashi. /21Media 

Back to top button