Reagimi i ministrit për therjen e mësueses në shkollë

Reagimi i ministrit për therjen e mësueses në shkollë

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi reagoi për rastin e sotëm të therjes me thikë të mësueses në Prishtinë.

Ministri u shpreh i indinjuar nga lajmi tronditës i veprimit ekstrem në shkollën „7 Marsi“ dhe deklaroi se shpreh vendosmërinë e tij dhe të MAShT për ta larguar dhunën nga shkollat e Kosovës.

“Ky veprim ekstrem, nuk tronditi vetëm sistemin e arsimit, por edhe gjithë opinionin tonë. Dhuna nuk është, e as nuk do të lejojmë të bëhet as baza, as detyrimi i suksesit të askujt, as të fëmijëve, e as të personelit! Rasti i sotëm tregon se komunikimi institucione -prindër nuk është në nivelin e duhur dhe se shkollat kanë nevojë për angazhimin real e të përhershëm”, shkroi ministri në facebook.

Bytyqi kërkon i gjithë sistemi arsimor të vihet në krye të detyrave të tyre.“Secili nga ne, qofshim personel a prindër, u detyrohemi gjeneratave që janë në bankat e shkollimit t‘u shërbejmë me punë e përkushtim dhe t‘iu bëhemi shembëllimi i edukatës e të mirës! Thërras të gjitha organet përgjegjëse t‘i shkojnë deri në fund këtij rasti!”, shtoi më tutje ministri.

Edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti reagoi pas ngjarjes që ndodhi sot në kryeqytet. Sipas Ahmetit, hetuesit policor kanë ndërmarr të gjitha masat e nevojshme për ta ndriçuar rrethanat e ngjarjes.

Ndërsa, doktoresha që po e trajton mësuesen e therur sot në shkollën “7 marsi” në kryeqytet, Dafina Bashota tregoi gjendjen e saj. Ajo para mediave tha se mësuesja është therur tri herë me thikë në abdomen (pjesa e barkut), por se gjendja e saj është stabile.

Sot rreth orës 10:00 policia e Kosovës arrestoi një grua B.D. 38 vjeçare, e cila dyshohet se ka therur me thikë mësuesen e shkollës 7 Marsi, V.P. 49 vjeçare. Lajmin për portalin Rtv21.tv e konfirmoi zëdhënësja e Policisë Rajonale të Prishtinës, Flora Ahmeti-Haziraj, e cila tregoi se rasti ndodhi në një shkollë në lagjen Kalabria në Prishtinë./21Media