Në mbrojtje të kryetarit të FFK-së

Në mbrojtje të kryetarit të FFK-së

Përfaqësuesit e FFK-së në Gjermani, Fekmi Kongjeli dhe Nexhat Shoshi kanë reaguar ashpër ndaj grupit opozitar të FFK-së. Në reagimin e tyre ata vlerësojnë se nga grupi opozitar kanë filluar ta luajnë edhe rolin e zёdhënёsve tё Serbisё dhe Rusisё, duke manipuluar opinionin se kinse do t’i pёrjashtojnё nga UEFA dhe FIFA.

Sipas tyre, kjo lojë e cila po zhvillohet kundёr FFK-sё dhe Agim Ademit, ka të bёjё me ndёrprerjen e privilegjeve tё kёtyre individёve tё cilat i kishin nё tё kaluarёn dhe ku nё mёnyrё tё padrejtё krijonin edhe fitime tё llojllojshme.

Reagimi i plotë pa ndërhyrje:

Reagim ndaj tendencave të vazhdueshme të grupeve tё interesit, duke tentuar qё me çdo kusht tё rrёnojnё FFK-nё, pёr interesa ekskluzive personale, pa marrё parasysh kohёrat e krizave si Covid 19, dhe para pak kohe, kur pёrballeshim me termetin nё Shqipёri.

Nuk mundemi tё mos reagojmë pёr tё dytёn herё kundёr kёtyre grupeve tё cilat mё herёt luanin rolin e zёdhënësve tё gjykatave dhe njerёzve tё politikёs, duke shantazhuar delegatёt me preteksin se “ky” ose “ai” do tё dёnohet! Tani, kanё filluar tё luajnё edhe rolin e zёdhënёsve tё Serbisё dhe Rusisё, duke manipuluar opinionin se kinse do tё na pёrjashtojnё nga UEFA dhe FIFA.

I pyesim kёta manipulues: Ku ishit kur ne i fituam qё tё dyja kёto ”beteja” dhe i mundem tё gjithё aleatët e tyre me 20 vjet lobim? Nuk ishte rrugё e lehtё dhe kushtoi shumё. FFK-ja nuk do tё dёnohet kurrё mё as nga iniciativat e Rusisё dhe as tё Serbisё, por do tё dёnohet dhe dёmtohet nga ju (kushdo qofshi), qё nuk i respektoni organet legjitime tё FFK-sё.

Ju, poashtu mundoheni tё ia mohoni Agim Ademit tё drejtёn legjitime nё drejtёsi dhe poashtu tё ia mohoni pёrkrahjen e organeve legjitime tё FFK-sё. Ju, poashtu, mundoheni tё ia mohoni edhe pёrkrahjen tё cilёn FFK-ja e ka nga UEFA dhe FIFA. A nuk ju mjafton qё nё pёrkrahje tё FFK-sё dhe organeve legjitime tё saj, nё krye me Agim Ademin, ёshtё edhe DFB-ja dhe pjesa dёrrmuese e popullit nё Kosovё dhe diasporё? A nuk iu mjafton ndjenja e krenarisё e tё gjithё Kombit pёr sukseset e Kombёtares tonё, e qё me vetёdije tё plotё dhe pёr interesa tё errёta, doni kёtё ta rrënoni. Por, njё gjё mos e harroni, se Agim Ademi dhe organet legjitime tё FFK-sё e kanё edhe pёrkrahjёn e fuqishme tё gjithё lojtareve dhe Dardanёve kudo qё ata ndodhёn.

Falё sukseseve dhe punёs sё shkёlqyeshme të FFK-sё, mё 22.02.2020, u arritё marrёveshja nё mes FFK-sё dhe Unionit tё Biznesit Shqiptar nё Gjermani pёr bashkёpunim nё shumё projekte pёr mirёqenie tё FFK-sё. Kjo organizatё ёshtё njё ndёr organizatat mё kredibile shqiptare dhe me potencial shumё tё fuqishёm kombёtar dhe financiar, e cila, nё njërёn anё, nё mesin a saj ka taksapaguesё shumё tё fuqishёm nё Gjermani dhe nё anёn tjetёr kontribuon shumё fuqishёm edhe nё zhvillimin dhe nё zbutjen e papunёsisё nё Kosovë.

Jemi nё negociata dhe atё mu pёr shkak tё performancёs sё mirё tё FFK-sё, qё nё tё ardhmen t’a kemi pёr bashkёpunёtor nё sponzorizim njё ndёr firmat mё tё fuqishme nё botё. Nёse, kёto bashkёpunime dёshtojnё pёr hirё tё shantazheve dhe lojrave tjera tё ndyta , atёherё vendi nё përgjithesi dhe futbollit nё veçanti do tё humbte tё mira tё jashtёzakonshme materiale. Pyesim, kush do tё marrë pёrgjegjёsinё pёr tё gjitha kёto dёme shpirtёrore e materiale? Apo, prap do tё fajsojmё Serbinё dhe Rusinё?

Opinioni duhet t’a dijё se kjo luftё e paskrupullt, e cila po zhvillohet kundёr FFK-sё dhe Agim Ademit, ka të bёjё me ndёrprerjen e privilegjeve tё kёtyre individёve tё cilat i kishin nё tё kaluarёn dhe ku nё mёnyrё tё padrejtё krijonin edhe fitime tё llojllojshme.

Sё fundi, por jo sё paku, mjafton tё lexojmё me vёmendje raportin e Departamentit Amerikan tё Shtetit, pёr ta kuptuar edhe rolin e kёtyre grupeve tё interesit. Raport i ngjajshёm ёshtё edhe raporti i BE dhe i RFGj. Lutemi qё ta kalojmё pa pasoja kёtё tragjedi Globale me Virusin dhe organeve legjitime te FFK-sё, dhe kryetarit, Agim Ademi, i urojmё qё tё mos bёhet prehё e shantazheve tё grupeve, tani tё njohura pёr opinionin dhe tё bashkuar si deri mё tani, tё vazhdoni tё na bёni krenarë.