Reagime pas aktgjykimit në rastin “Pronto”

Shoqëria civile e shqetësuar për “ndikimin e politikës në drejtësi”

Shpallja e aktgjykimit për lirimin nga akuza të të akuzuarve për rastin e shumëpërfolur “Pronto”, ka nxitur reagimin e shoqërisë civile dhe njohësve të drejtësisë.

Platforma e Grupit për Studime Juridike dhe Politike, Drejtësia Sot, ka shprehur shqetësimin e tyre për mënyrën e trajtimit të rastit “Pronto”, që ata e cilësuan si njëri nga skandalet më të mëdha në Kosovën e pasluftës.

Kjo platformë kritikoi mënyrën se si është trajtuar ky rast nga ana e sistemit prokurorial dhe gjyqësor, duke thënë se ka qenë i mbizotëruar me shkelje të mëdha procedurale dhe gjyqësore. “Mos-profesionalizmi i treguar në trajtimin dhe ngritjen e aktakuzës dhe i përcjellur pastaj përgjatë shqyrtimit gjyqësor tregon mungesën e interesit në luftimin e krimin e korrupsionit në Kosovë nga institucionet e drejtësisë. Njëkohësisht, mungesa e guximit për ndjekjen e figurave të larta shtetërore e politike ndikon negativisht në ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe një shteti ligjor i cili mbron të drejtat themelore të qytetarëve të saj; kritere këto esenciale për një shtet evropian. Rrjedhimisht, barra e mos përmbushjes së obligimeve të dala nga proceset integruese të Kosovës bie edhe njëherë mbi institucionet e sistemit te drejtësisë. Janë pikërisht këto raste në të cilat Komisioni Evropian e mbështet konstatimin e tij që Kosova është shtet i kapur”, thuhet në reagimin e Drejtësia Sot.

Ata u bënë thirrje institucioneve të sistemit të drejtësisë që të veprojnë në kuadër të kompetencave kushtetuese dhe ligjore të tyre, përkatësisht, Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial që të marrin masat e caktuara ligjore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të cilët dështojnë të luftojnë krimin dhe korrupsionin si detyrë bazë e tyre.

Edhe Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) reagoi ndaj ndërhyrjeve të politikanëve në vendimet gjyqësore, përmes komentimit të tyre. Këtë qasje të politikanëve, IKD e vlerëson të papranueshme dhe ndërhyrje të politikës në gjyqësor.

IKD pa e paragjykuar epilogun e këtij gjykimi, vazhdimisht ka kritikuar qasjen e Prokurorit të Shtetit, e cila ka qenë selektive në këtë rast në hetimin dhe ndjekjen e protagonistëve të aferës së përgjimeve Pronto. Prokurori i Shtetit është dëshmuar se ka pasur mungesë guximi për ta trajtuar këtë rast, në të cilin ka pasur ndërhyrje të Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, dhe i cili rast ka përfunduar me ngritjen e një aktakuze, në të cilën prokurorja nuk e ka propozuar asnjë dëshmitar që paraqet absurd të llojit të vet. Politikanët duhet ta kuptojnë se janë politikanë dhe nuk janë OJQ, prandaj komentimet e tyre ndaj vendimeve gjyqësore duhet të ndalen përgjithmonë”, thuhet në reagimin e IKD-së.

Vendimi i Gjykatës për lirimin nga akuza të protagonistëve të “Prontos” për juristin Vigan Qorrolli, do të thotë legjitimim i nepotizmit.

Nuk di nëse me vetëdije ose pa, por gjyqtari i lëndës pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, përmes Aktgjykimit lirues në rastin “Pronto”, se pari e faktoi një fakt botërisht të ditur dhe se dyti e legjitimoi atë që në Kosovë për të hy në punë shteti duhet me pas libreze partie, ose më pas të njohshëm dikë prej bosave politik. Gjykata e Apelit mbase i merr parasysh edhe rrethanat sociale të rastit, jo vetëm argumentet e pambrojtura mirë nga Prokuroria, për të cilat publiku është vendosmërisht i bindur se janë shkelur shumë të drejta të njeriut. Të përkëdhelurave të partisë i janë kriju favore përtej normales, ndërsa qytetarëve pa njohje dhe pa mbështetje politike u janë shkelur të drejtat. Demokracia politike nuk ushtrohet duke e faktuar nepotizmin, kapjen dhe partizimin institucional. Ajo ushtrohet përmes vetëdijes kolektive se këto tri gjëra janë të dëmshme dhe të këqija për shoqërinë.
Gjyqtari sot ka dështu me themel që t’i restaurojë gabimet e politikës dhe dëmet që ajo ia ka shkaktuar shoqërisë në këto 20 vjet. Në fakt ky gjyqtar i ka legjitimu ato përmes vendimit të tij gjyqësor si “veprime të drejta.” Një padrejtësi e madhe shoqërore si kjo duhet stopuar
”, shkroi Qorrolli në Facebook.

Adem Grabovci, Besim Beqaj, Zenun Pajaziri dhe të tjerët akuzoheshin se gjatë muajit tetor, nëntor e dhjetor të vitit 2011 kishin emëruar në mënyrë të kundërligjshme në pozita udhëheqëse njerëz të afërt të tyre ose me partinë e tyre në ndërmarrjet publike “Trainkos”, “Infrakos”, “Hidro-Drini”, “Radoniqi-Dukagjini”, etj./21Media

 

Back to top button