Reagimi i parë i Qeverisë pas kritikave të BE-së për masën ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës

BE ka kërkuar që të revokohet masa tregtare ndaj produkteve, Matoshi shprehet se Kosova merr vendime sovrane për të mbrojtur interesat shtetërore

Bashkimi Evropian i ka kërkuar autoriteteve të Kosovës që urgjentisht të shpjegojnë vendimin e tyre për të rritur tarifat me 10% në importin e mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Zëdhënësja e BE-së, Maja Koçijançiq ka thënë se këto vendime janë një shkelje e obligimeve të Kosovës në kuadër të CEFTA-s. Mirëpo, zëdhënësi i Qeverisë, Halil Matoshi sot për rtv21.tv është shprehur se në raport me CEFTA-n, Kosova ka marrë të gjitha obligimet ndërkombëtare kur ka qenë e përfaqësuar bashkë me UNMIK-un.

“Është e rëndësishme që të kuptohet se tani Kosova është shtet sovran dhe i pavarur dhe merr vendime sovrane për të mbrojtur interesat e veta shtetërore dhe vetëm si e tillë – shtet sovran- do të përfaqësohet në CEFTA si dhe në dokumentet e marrëveshjet e ardhshme”, është shprehur Matoshi për rtv21.tv.

Zëdhënësja e BE-së, Maja Koçijançiq ka thënë se BE pret nga Kosova, e cila aktualisht kryeson CEFTA për të përmbushur plotësisht obligimet e saj dhe të revokojë këtë masë.

Nga ana tjetër, sot Oda Ekonomike dhe Klubi i Prodhuesve u deklaruan se e përkrahin taksën ndaj Serbisë dhe Bosnjës. Astrit Panxha nga Klubi i Prodhuesve, e ka konsideruar vendimin e ekzekutivit si të drejtë, duke shtuar se vendimi nuk duhet tërhequr.

“Vendimi i djeshëm e përkrahim sepse  është vendim i duhur kemi kërkuar qe me Bosnjën dhe Serbinë të sillemi si shtet dhe kemi pasur produkte të Serbisë që në Kosovë shitet më lirë sesa në Serbi ashtu edhe kjo është shkelje e CEFTA-s dhe ironia më e madhe është kur kërkojmë përgjigje nuk e japin sepse nuk na njohin si shtet dhe çfarë kuptimi ka CEFTA kur dy vende nuk bashkëpunojnë”, ka thënë ai. Panxha ka shtuar se kritikat e Brukselit ndaj kësaj mase  janë destinuar në adresë të gabuar pasi që këto kritika duhet t’i bëjë ndaj Serbisë,  pasi siç tha ai bënë shkelje të CEFTA-s.

Qeveria e Kosovës dje ka marrë vendim për vendosjen e masave në importin e mallrave nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Ky propozim erdhi nga ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala. Kjo masë vendoset për qumështin dhe produktet e qumështit, uji, biskotat, materialet ndërtimore dhe lëngjet e prodhuara në këto dy vende. Por, kjo masë përjashtohen produktet e brendeve ndërkombëtare që prodhohen në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë, dy shtete që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Kosova përveç që ka importin e mallrave më të madh nga Serbia, këtë vit ka shënuar edhe ngritje të importit nga ky shtet. Vlera e importit të mallrave nga Serbia nga janari i vitit 2018 deri më 15 tetor të këtij viti është rreth 360 milionë euro, kryesisht mallra të industrisë ushqimore dhe të materialit ndërtimor. Ndërkaq, Kosova ka eksportuar mallra në këtë shtet në vlerë jo më shumë se 23 milionë euro./ 21Media

Back to top button