Nata finale e "Kënga Magjike"

Nata finale e “Kënga Magjike”

Përfundoi edicioni i sivjetmë i festivalit “Kënga Magjike”, që u përcoll me shumë emocion e dashuri. E veçanta e këtij edicioni ishte se u mbajt nën moton “Këndoj për të ndërtuar”, që nënkupton se të ardhurat e festivalit do të shkojnë për ta ndihmuar një nga familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri. Gjithashtu, publiku dhe juria vendosën për finalistët, së bashku me artistët që votuan njëri-tjetrin.

Vendin e parë e fitoi Eneda Tarifa me këngën “Ma zgjat dorën”, me gjithsej 1370 vota nga votat e artistëve, juria dhe publiku. Ndonëse Filloreta Raçi – Fifi, mori të gjitha votat e publikut, votat e jurisë dhe artistëve përcaktuan që ajo të pozicionohet në vendin e dytë, me gjithsej 1152 vota. Kënga pjesëmarrëse e Fifit në këtë edicion ishte “Marova”, që u pëlqye tej mase nga publiku.

Kurse vendin e tretë e zuri Anxhela Peristeri me këngën “Dikush i imi”, me gjithsej 982 vota, transmeton rtv21.tv

Kur Eneda Tarifi doli ta pranonte çmimin nga kantautori Flori Mumajesi, i cili njëherësh është edhe fitues i edicionit të kaluar të “Kënga Magjike”, publiku u revoltua. U çuan në këmbë për ta kërkuar fitoren e Fifit, duke brohoritur “Fifi, Fifi..”

Pas këtij veprimi të publikut, reagoi edhe Eneda, e cila u shpreh se po të kishte mundësi do ta ndante çmimin me Fifin.

“Unë votova me shumë dëshirë për ty, për këngën e mrekullueshme që na dhe, për zërin e mrekullueshëm që ke dhe për fjalët kaq të bukura dhe për ato prodhimet e mrekullueshme që bën, njërën prej të cilave gëzoj edhe unë. Dhe unë realisht do të doja shumë që kjo kupë të ndahej dhe ta merrnim të dyja”,u shpreh ajo.

Për dallim nga edicionet e kaluara, kësaj radhe nuk u ndanë shumë çmime, pos çmimeve për dy kategoritë e reja të këtij viti, ‘New International Artist’ (grupi italian Sisma) dhe ‘Best Big International’ (këngëtarja nga Maqedonia e Veriut, Tamara Todevska), si dhe për Best New Artist (Khuba).

Pjesë e jurisë këtë vit ishin: Enkel Demi, Arben Skenderi, Armend Rexhepagiqi, Jonida Maliqi, Dj Missrose dhe Dj Stone./21Media