Pas daljes në opinion të videos për rastin “Reket” reaguan partitë politike

Pas daljes në opinion të videos për rastin “Reket” reaguan partitë politike

Nga VMRO-DPMNE thonë se drejtësi në Maqedoni nuk do të ketë derisa gjykatat dhe prokuroritë punojnë nën urdhrat Zaevit. Igor Janushev tha se është e pa mundur që i gjithë opinioni të flet dhe të dijë për Reketin, ndërsa Vilma Ruskoska të mos e dijë se çfarë ka ndodhur. Ai kërkoi dorëheqje urgjente të Qeverisë.

“Nga pamjet shihet se Boki dhe Kiçeec janë thjesht vetëm ekzekutues ndërsa organizator i vërtetë është dikush tjetër. Një reket i këtillë i cili ka zgjatur me vite ndërsa u ekzekutua me shantazhe dhe premtime për liri drejtpërdrejtë nga Katica Janeva, nuk mundet  të jetë bërë pa aminin e Zaevit, i cili ka qeveri absolute në Republikën e Maqedonisë. Nevojitet dorëheqje urgjente e qeverisë dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare”, thotë Igor Janushev nga VMRO-ja.

Nga LSDM thonë se do deri në fund do të luftojnë që ta kthejnë drejtësinë në vend, ndërsa inkurajojnë organet juridike që rastin Reket ta ndriçojnë sa më shpejt. “Askush nuk është i mbrojtur dhe askush nuk do të kursehet në Maqedoninë e Veriut”, thonë nga LSDM.

“Ashtu siç premtuam, deri në fund do të luftojmë që ta kthejmë të drejtën dhe drejtësinë në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Edhe njëherë i inkurajojmë dhe kërkojmë nga organet e drejtësisë që t’i zbardhin të gjitha rrethanat rreth rastit aktual. Kërkojmë që hetimi të përshpejtohet nga institucionet që duhet të japin përgjigje të plotë për të gjithë aktorët që kanë marrë pjesë në vepra të paligjshme, si dhe të jep përgjigje për nxitësit, organizatorët dhe skenaristët e këtij rasti”, u kundërpërgjigj, Konstandin Konstandinov.

Reaguan edhe nga Lëvizja BESA.

“Për Lëvizjen BESA, prolongimi i hetimit për raste si “zhvatja” janë dëshmi se ende në Maqedoninë e Veriut kemi sistem juridik të partizuar dhe në shërbim të krimit dhe korrupsionit. Prandaj kërkojmë urgjentisht zbardhjen e plotë të këtij rasti dhe vendosjen para drejtësisë të gjithë atyre që në forme direkte apo indirekte janë të përfshirë në këtë rast”, thonë nga Lëvizja BESA.

Aleanca për shqiptarët kërkon që sa më shpejtë të ndërmerren të gjitha masat ligjore që të zbardhet i gjithë procesi si dhe të zgjerohet hetimi.

“Rasti ‘Reket’ është fakt i mjaftueshëm se të gjitha ato raste janë të dështuara për shkak të ‘reketit’ kurse video materiali i cili u publikua sot e vërteton të njëjtën. Aleanca për Shqiptarët edhe një herë e përsërit qëndrimin për ‘Prokuror nga BE-ja’’ si një zgjidhje për dalje nga qorrsokaku në të cilin gjendet sistemi ynë i drejtësisë”, deklaruan nga ASH.

E për videon që doli në opinion komentuan edhe nga Qeveria. Nga atje  thonë se rasti Reket është përgjegjësi e gjyqësorit. Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut bën thirrje për zbatim të plotë dhe efektiv të sundimit të ligjit, hetim të plotë, gjetje të fakteve dhe përgjegjësi për të gjithë të përfshirë, – thuhet në kumtesën e Qeverisë./21Media