Reagon Ahmeti pas deklaratave të Vuçiqit

Vuçiqi tha se dialogu vazhdon kur hiqet taksa dhe ndalohen provokime si Trepça

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka thënë se ngecja aktuale e dialogut mund të zgjidhet vetëm kur Prishtina heq taksën ndaj produkteve serbe dhe ndalon provokimet, sikurse ndryshimi i statutit të Treçës, të cilën e konsideron si rrëmbim të pronës serbe, ka shkruar novosti.rs

Pas një takimi me ambasadorin britanez, Denis Keefe, Vuçiq ka thënë se Serbia mund të përcaktohet për paqe dhe stabilitet në rajon.

Pas këtyre deklaratave të presidentit serb, ka reaguar kreu i PSD-së, Shpend Ahmeti, i cili përmes një postimi në Facebook ka deklaruar se presidenti serb e ka shtuar edhe një kusht për pjesëmarrje në dialog. Sipas tij, Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe sovran dhe mendimet e Vuçiqit s’kanë kurrfarë peshe juridike.

“Presidenti i Serbisë e paska shtuar një kusht të ri për pjesëmarrje në dialog – atëherë kur Kosova pushon së provokuari siç e paska kuptuar Vuçiqi miratimin në Kuvend të Statusit të ndërmarrjes “Trepça”! Një gjë Vuçiqi dhe gjithë të tjerët duhet ta kuptojnë : Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe sovran, që i merr vendimet në mënyrë demokratike e sipas procedurave institucionale. Vuçiqi mund të mendojë çfarë të dojë për Kosovën, por mendimet e tij nuk kanë kurrfarë peshe juridike. Rrjedhimisht është duke humbur kohë. Vendimet e tilla edhe mund t’i prishin plan atij. Por prapë kjo nuk është dhe nuk mund të jetë brengë e Kosovës.”, ka shkruar Ahmeti.

Sipas tij, Kosova është e gatshme të dialogojë.

“Kosova është e gatshme të dialogojë. Për këtë jemi duke i bërë gati të gjitha dokumentet e nevojshme (Delegacionin, Ligjin, Platformën). Është vendim i Serbisë se si do të përgatitet për këtë dialog. Është po ashtu vendim i Serbisë nëse do të bëhet pjesë e dialogut. Por nuk mundet në asnjë mënyrë ta përdorë dialogun për ta mohuar Republikën e Kosovës, sovranitetin institucional të vendit. Në këtë dialog shkojmë për ta përmbyllur çështjen e hapur që e kemi me Serbinë e që është mosnjohja e mospranimi i shtetësisë së Republikës së Kosovës. Kjo e definon karakterin e dialogut. Tjetër synim nga ky dialog nuk kemi. Dhe tjetër synim të këtij dialogu nuk pranojmë.”, ka shkruar Ahmeti.

Të shtunën në Kuvend ka kaluar në parim Projektligji për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit Shtetëror të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë. Projektligji ka kaluar me 61 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim./21Media

Back to top button