Reagon Ministria e Bujqësisë pas kallëzimit penal për ish-ministrat

Ministria ka thënë se mbështetja financiare për fermerët s’mund të njolloset me tendenca politike paraelektorale

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka reaguar menjëherë pasi Lëvizja Vetëvendosje dorëzoi kallëzimet penale për ish-ministrat e Bujqësisë.

Nga kjo ministri thonë se mbështetja financiare për fermerët nuk mund të njolloset me tendenca politike paraelektorale.

“Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, mbështetjen e sektorit të bujqësisë që nga viti 2008 e deri më tani e realizon në kuadër të dy programeve, Programit për Zhvillim Rural dhe Programit për Pagesa Direkte – Subvencione, të cilat hartohen duke u bazuar në Ligjin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 03/L-098, si dhe në Plotësim-Ndryshimit të Ligjit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 04/L-090 dhe në udhëzimet administrative”, ka reaguar ministria.

Sipas ministrisë së Bujqësisë, i gjithë procesi për mbështetjen e fermerëve në kuadër të këtyre programeve, që nga shpallja e thirrjeve dhe vlerësimi i të gjitha aplikacioneve për grante dhe subvencione bëhet bazuar në dokumentacionin, procedurat dhe kriteret e parapara me program, të cilat çdo vit publikohen në faqen e Ministrisë së Bujqësisë dhe në atë të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB).

“Me qëllim të informimit të drejtë të qytetarëve, MBPZHR-ja njofton se ka rënë edhe numri i ankesave të fermerëve të adresuara në MBPZHR dhe AZHB lidhur me procesin e përfitimit të subvencioneve dhe granteve investive. Prandaj, këto procese dhe mbarëvajtjen e ndarjes së mbështetjes financiare për fermerët nuk mund ta njollos asnjë tendencë politike, përkundër përpjekjeve paraelektorale që subjektet politike mund t’i kenë”, thuhet tutje në reagimin e Ministrisë së Bujqësisë.

Sot deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sali Zyba, anëtar i komisionit parlamentar për këtë fushë, dorëzoi kallëzimin penal për ish-ministrat e Bujqësisë, Nenad Rikallo, Memli Krasniqi, Blerenda Stavileci, sekretarin e Ministrisë së Bujqësisë, Halim Kapllani, drejtorin e Agjencisë së Zhvillimit të Bujqësisë, Ekrem Gjokaj dhe ish-drejtorin e kësaj agjencie, Elhami Hajdari. Ai tha se grantet dhe subvencionet nga fondet publike janë të dedikuara për fermerët e bujqit, e veçanërisht për ata më në nevojë./21Media

Back to top button